Nëna mitrovicase denoncon rastin se fëmija i saj po rrahet e po kërcenohet në shkollë

Një nënë vetushqyese nga Mitrovica ka ngritur shqetësimin për dhunën e vazhdueshme që djali i saj 11-vjeçar po përjeton në shkollën fillore “Abdullah Shabani”. Nëpërmjet një deklarate të bërë publike, ajo ka treguar detaje tronditëse mbi rastet e shantazhit, kërcënimeve me armë të ftohta, ofendimeve dhe dhunës fizike të ushtruara nga bashkëmoshatarët e tij.

“Djali im prej kohësh rrihet, shantazhohet dhe kërcënohet nga disa nxënës të tjerë të shkollës. Për shkak të traumave të shkaktuara, ai shpesh mungon në mësim, ndërsa sot nuk shkoi fare nga frika, me të vjella dhe temperaturë,” shkruan nëna në deklaratën e saj.

Ajo thekson se ka raportuar rastin te drejtoria e shkollës, kujdestarja e klasës dhe prindërit e fëmijëve dhunues, por situata ka mbetur e pandryshuar. Kujdestarja e klasës fillimisht e transferoi djalin në një paralele tjetër, por dhuna nuk ndaloi pasi agresorët vazhduan ta ndjekin edhe aty.

“Si masë ndëshkuese, djali im u largua nga klasa pa dijeninë time. Por edhe pas transferimit, të njëjtët fëmijë kanë shkuar në klasën e tij të re dhe kanë ushtruar sërish dhunë fizike,” rrëfen ajo.

Nëna tregon se situata ka përshkallëzuar aq shumë sa ajo është detyruar ta raportojë rastin në stacionin policor të Mitrovicës. Megjithatë, drejtori i shkollës, sipas saj, nuk ka marrë masa adekuate. “Drejtori më tha privatisht: ‘A je e vetëdijshme me kë po rrokesh? Janë familje problematike,’” tha ajo, duke shtuar se e kanë këshilluar të heshtë dhe të largojë djalin nga shkolla.

Postimi i plotë:

Të nderuar dhe të nderuara prindër dhe institucione arsimore e policore;

Dua ta publikoj rastin e djalit tim 11 vjeçar i cili vijon mësimet në shkollen Abdullah Shabani në Mirtrovicë.

Lexo edhe:  Sulmohet me armë zjarri familja dhe shtëpia e Naser Pajazitajt

Djali im prej kohësh rrahet,shantazhohet,ofendohet, kërcënohet me armë të ftofta, nga disa nxënës të tjerë të kësaj shkolle,kësaj moshe dhe kësaj komune.

Ankesa ime si Nanë vetushqyese dhe kujdestare e vetme e tij që nga lindja e deri më tani është se: shqetësimin për tim bir e kam ngritur tek prindërit e këtyre fëmijëve,tek drejtori i shkollës,tek kujdestarja e klasës. Mirëpo, kjo ngjarje sot ka arritur në përmasa më të mëdha ku djali im dhe unë sot gjatë ditës jemi paraqitur edhe në stacionin policor Mitrovicë.

Kujdestarja e klasës e cila është në dijeni për rastin “si masë ndëshkuese ka marr vendim që djali im të largohet nga klasa, pa dijenin time, më ka premtu se do ta largoj fëmijën problematik.
Edhe pasi është vendos djali im në paralele tjetër, po i njejti fëmijë problematik me disa fëmijë të tjerë kanë shkuar në paralele ku është djali im dhe kanë ushtru dhunë fizike!

Djali nuk ka shkuar sot në shkollë ( e që nuk është e para herë që mungon shkaku i frikës) nga të vjellurat,temperatura dhe traumat e shkaktuara nga këta bashkëmoshatar të tij.

Si ka mundësi një institucion familjar të mos ken kontroll mbi fëmijët e vetë?
Si ka mundësi një institucion arsimor të mos ketë masa disiplinore për 11 vjeçarët?
A duhet domosdoshmërisht të vije në shprehje masat policiore dhe gjygjësore?

Shqetësimi im përveç tjerash është se si do jet gjendja e tim bir në vazhdim?
Si do të vijoj mësimet?
Si nanë vetëushqyese më është dasht të ndërpres praktikën, dhe të mbetem pa punë për të qëndruar me fëmijën tim në ambijentin shkollorë, se mos po më kthehet i rrahur apo ndonjë ditë të më vije edhe i plagosur apo i vdekur!

Lexo edhe:  Aksident i rëndë afër Shtimes, pesë persona mbesin të lënduar

Si do të arrijë im bir shkallën e zhvillimit dhe të mësimit të tij duke u larguar nga klasa,nga shkolla për gjasma mbrojtjen e tij!?

Unë si nanë e vetme dhe pa përkrahje tash e 13 vitet me qira dhe shumë vështirësi të mëdhaja ekonomike,sociale,shëndetësore ku duhet ta shkolloj tim bir?
Ku duhet ta siguroj tim bir?

Ata sot e shantazhuan se im bir duhet t’ua mbaj cigaret elektrike në çantën e tij dhe me rrefuzimin e djalit tim ata e goditen, iu hudhen mbi 10 fëmijë të tjerë sipër duke e shtypur derisa volli.

Pas ankesës time dhe takimit me prindër më është drejtuar privatisht drejtori i kësaj shkolle me fjalët:
A je e vetëdijshme me kë po rrokesh, janë familje problematika”.
Nga kjo kam ardhë në përfundim se prindërit e fëmijës dhunues janë të fortë edhe kanë imunitet edhe përballë ligjit.

Më këshillojnë të heshti dhe ta largojë djalin nga ajo shkollë…
Me çfarë, me cila financa unë tani t’ia siguroj fëmijës tim librat, pasi siç e dijmë shkollat punojnë me libra e botuesve të ndryshëm.

Ndjes por, nuk heshti më, për fëmijën tim të cilin e rrita me shumë mund, pa strehim dhe me shumë peripeti tjera.
Jo, më nuk heshti!
Valbona Krasniqi ✍️