Në Sanremo të Italisë kadetët kosovarë rrëmbejnë medaljen e artë
Kadetët e Qendrës për Studime Universitare (QSU) triumfuan në garën ndërkombëtare të Ligjit të Konfliktit të Armatosur (LOAC) në Sanremo të Italisë. Në këtë garë morën pjesë akademi ushtarake nga vende të ndryshme të botës, ku kadetët tanë me përgatitje të jashtëzakonshme fituan medaljen e artë, e cila u nda nga Instituti Ndërkombëtar i Ligjit Humanitar (IIHL) në Sanremo të Italisë.
Çdo vit IIHL organizon garën mbi Ligjin e Konfliktit të Armatosur (LOAC) për akademitë ushtarake nga e gjithë bota. Kadetët mësojnë dhe zbatojnë ligjin në skenarë të simuluar ushtarakë. Gara përbëhet nga një fazë praktike, ku ekipet shumëkombëshe këshillojnë mbi çështje ligjore bazuar në situata të supozuara. Ky aktivitet, përveçse një garë, është edhe një ushtrim që përgatit udhëheqësit ushtarakë të ardhshëm për operacione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ndërgjegjësimin për çështjet humanitare.
Kjo ishte hera e parë që Qendra për Studime Universitare merr pjesë në këtë garë dhe u kthye me medalje të artë, duke dëshmuar përgatitjen e lartë të kadetëve të QSU, pasqyruar përkushtimin dhe disiplinën e kadetëve, si dhe përparimin e Qendrës në skenën ushtarake ndërkombëtare.