Në kohën më të keqe, Njësia Speciale mbetet pa telefona zyrtarë, akoma s’është bërë zgjidhje për vazhdimin e kontratës me Telekomin

Njësia Speciale e Kosovës, që në çdo situatë të rrezikshme janë të parët, si krenaria e vendit, sidomos gjatë tensioneve dhe zhvillimeve në veri, përveç kushteve të rënda që përballen çdo ditë, tashmë kanë mbetur edhe pa telefona zyrtarë, problem ky që do të ndikojë në xhepin e tyre.

Pjesëtarët e kësaj njësie kanë mbetur pa telefona zyrtarë si pasojë e skadimit të kontratës që Policisë ka pasur me Telekomin, në bazë të së cilës zyrtarët kanë komunikuar me telefona zyrtarë gratis me njëri-tjetrin. Skadimi i kontratës, deri në zgjidhjen e kësaj çështje do t’u kushtojë zyrtarëve policorë dhe nuk dihet se a do të kompensohen.

Kështu kanë bërë të ditur burimet e Sinjali nga Policia dhe kanë njoftuar se deri dje nuk ka pasur vazhdim të kësaj kontrate.

Telefonat e tillë janë përdorur vazhdimisht për shërbime zyrtare, verifikim të personave, mbajtje të kontaktit me njësitet tjera relevante dhe me zinxhirin komandues, në veçanti janë shfrytëzuar për zonat ku radiolidhjet kanë mbulueshmëri më të dobët.

Sipas këtyre burimeve, ndërprerja e kontratës dhe mos sigurimi i një alternative tjetër në afatin sa më të shkurtër, përveç se i ngarkon me kosto shtesë komunikimet në mes tyre, po ashtu i mbingarkon edhe kanalet zyrtare të radio komunikimit që shfrytëzohen në nivel të vendit nga e gjithë Policia e Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje dhe ka kërkuar sqarime nga Policia në lidhje me këtë kontratë dhe mënyrën se si do të komunikojnë zyrtarët policorë deri në zgjidhjen e këtij problemi, por ende s’ka marrë një përgjigje.

Kujtojmë se Policia edhe më tutje përballet me kushte të rënda në disa stacione, me uniforma të stërvjetëruara e antiplumb me afat të skaduar. Pagat e tyre lënë për të dëshiruar dhe pavarësisht rrezikshmërisë që bartin, akoma nuk kanë sigurim jete e as sigurim shëndetësor.

Lexo edhe:  Përplasen dy anije në lumin Danub, humbin jetën dy persona, zhduken 5 të tjerë

Janë pikërisht njësitë speciale dhe ato elitare që në këtë kohë tensionesh në veri të vendit duhet të jenë në gatishmëri maksimale, të pajisur me çdo gjë që u duhet e të motivuar si asnjëherë më parë për ta mbrojtur rendin dhe sigurinë e qytetarëve në atë pjesë të vendit.

Ndryshe, jo rrallëherë politikanë në deklaratat e tyre kanë dhënë lëvdata për policinë vetëm kur ka pasur tensione në veri, por asnjëherë nuk janë parë duke luftuar për kushtet e tyre të punës, për pagë më të mirë dhe për sigurim jete e shëndeti që është esencial për një punë me rrezikshmëri më të lartë.