Në Bruksel s’ka më zëra kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, në tetor pritet ndezja e motorëve

Javët dhe muajt e ardhshëm pritet të jenë vendimtarë për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, thonë burimet diplomatike në Bruksel.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ato thonë se ka një gatishmëri politike mes vendeve anëtare të BE-së, që të finalizohet procesi dhe të miratohet vendimi për lëvizjen e lirë të kosovarëve në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Schengen.

Për më tepër, thonë burimet, “tash nuk dëgjohen zëra kundër liberalizimit të vizave”, gjë që dëshmon se është krijuar një moment i duhur për ta çuar procesin përpara.

Po sipas burimeve, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, gjatë muajit tetor, do të nisë të diskutohet në grupet punuese të Këshillit të BE-së – aty ku janë përfaqësuesit e shteteve anëtare të unionit.

Çështja ka mbetur peng për më shumë se tre vjet pikërisht në Këshill, ku, deri më tash, ka pasur shtete skeptike për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, duke argumentuar se “nuk ka ardhur ende koha për një gjë të tillë”.

Dy institucionet tjera të BE-së, që kanë rol në vendimmarrje – Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian – kanë shfaqur mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave dhe ka rekomanduar që të hiqen vizat për qytetarët e saj.

Komisioni Evropian edhe tash ka konfirmuar se mbetet në qëndrimin e shprehur më parë, se Kosova vazhdon t’i përmbushë të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizim vizash.

Parlamenti Evropian, për vite me radhë, jo vetëm se ka dhënë pëlqimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, por u ka bërë thirrje vendeve anëtare që në Këshillin e BE-së të miratojnë sa më parë vendimin për liberalizim vizash.

Lexo edhe:  Të pajisur deri në dhëmbë me armë e uniforma ushtarake – këta janë tre personat e dyshuar që Policia i arrestoi në Prizren

Shenjat e para për mbështetje politike për liberalizimin e vizave janë shfaqur gjatë samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në muajin qershor, në Bruksel. Asokohe, shumë liderë të vendeve të BE-së publikisht kanë mbështetur liberalizimin e vizave.

Por, tani, duhet të kryhet edhe puna teknike nga ekspertët dhe nga grupet punuese. Diplomatët në Bruksel kanë paralajmëruar se Komisioni Evropian, më 12 tetor, në raportet vjetore të progresit, të përsërisë se Kosova vazhdon t’i përmbushë kriteret për liberalizim të vizave.

Më pas, kjo temë do të duhej të dilte në rend të ditës në takimin e grupeve punuese për vizat në Këshill – po ashtu në mes të muajit tetor.

Edhe në ato takime, ekspertët nga Komisioni Evropian do të mund të raportojnë për progresin e Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Nga këto diskutime do të varet se sa shpejt do të vazhdojë procesi, por pritet që ai, siç thonë burimet, “të shkojë drejt përmbylljes”.

Diplomatët në Bruksel kanë thënë se është shumë e rëndësishme që Kosova po i vazhdon kontaktet e shpeshta me disa vende anëtare të BE-së, në nivel të ministrive të Punëve të Brendshme, për të adresuar çfarëdo shqetësimi që mund të kenë disa shtete lidhur me liberalizimin e vizave.

Ndonëse konfirmojnë se “është një moment shumë pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën” dhe se “kjo çështje do të jetë tash në rend të ditës në Këshill”, diplomatët në Bruksel hezitojnë të përmendin data apo afate kohore se kur do të mund të merrej vendimi.

Se ekziston një mbështetje në nivel politik nga shtetet kryesore për liberalizimin e vizave, dëshmon edhe thirrja e përbashkët që kanë bërë këtë javë ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë për “përparim në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën”.

Lexo edhe:  Pas Arbanës edhe Olta nxjerr zbuluar lojën e pisët të produksionit: Ndërrojnë biletat e kthimit

Sipas burimeve diplomatike, Franca, për një kohë të gjatë, ka qenë kundër liberalizimit të vizave, duke përmendur si arsyetim, mes tjerash, “përvojën jo të mirë me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë” – vende nga të cilat kishte një numër të madh të azilkërkuesve të pabazuar në Francë.

Në mesin e vendeve skeptike ka qenë dhe Holanda. Por, tash, as Franca e as Holanda nuk shprehen më kundër dhe thonë se “duhet të pranohet progresi që ka bërë Kosova në përmbushjen e kushteve”.

Përveç përmbushjes së kushteve teknike nga ana e Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave, thonë diplomatët në Bruksel, rëndësi kanë edhe rrethanat politike.

Me vendimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në korrik – proces që ka nisur pas shumë pengesave politike – është krijuar një moment pozitiv në politikën e BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kosova është vendi i vetëm në këtë rajon që nuk ka lëvizje të lirë në zonën Shengen.