Në Brekoc të Gjakovës gjenden mbetje mortore, dyshohet se janë nga lufta e fundit

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka konfirmuar të mërkurën gjetjen e mbetjeve mortore në fshatin Brekoc të Gjakovës, gjatë gërmimeve që po realizohen në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Policinë e Kosovës.

Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, gjetja e eshtrave dyshohet të jetë e lidhur me personat që ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

“Pas vazhdimit të gërmimeve dhe vlerësimeve në këtë lokacion, ekipet tona kanë gjetur eshtra”, thuhet në komunikatë.

Tani, mbetjet e gjetura do t’i nënshtrohen analizave antropologjike dhe identifikimit përmes ADN-së. Pasi të përfundojnë procedurat laboratorike, familjet e viktimave do të njoftohen për rezultatet dhe identitetin e mbetjeve.

“Komisioni dhe partnerët institucional janë të përkushtuar për trajtimin me prioritet dhe kujdes të posaçëm të kësaj çështjeje, në shërbim të familjeve të viktimave dhe për të vënë drejtësinë në vend.”, thuhet tutje në njoftim.

Lexo edhe:  Një person i maskuar kërcënon me thikë një punëtor në vendin e punës në Gjilan