Në bashkëjetesë e me dhunë në familje, gruaja që u plagos sot nga burri ishte me fëmijën në momentin kritik

Një ngjarje e rëndë u shënua mëngjesin e sotëm në Bresje të Fushë Kosovës, që për pak përfundoi tragjikisht. Për motive akoma të panjohura, 73-vjeçari Idriz Alija dyshohet se e qëlloi me armë zjarri bashkëshorten e tij. Viktima Sherife Tahiri, tashmë është transportuar në QKUK, ndërsa i dyshuari është arrestuar, raporton Gazeta Sinjali.

Detaje të reja tashmë janë zbuluar nga ky rast i trishtë.

Burimet e Sinjalit thonë se para katër ditësh, i dyshuari u arrestua për dhunë në familje, pasi u denoncua nga viktima për dhunën psikike dhe presionin e vazhdueshëm për shkak të xhelozisë.

Pas përfundimit të masës së ndalimit policor, i dyshuari u lirua dhe konfliktet mes tyre vazhduan, derisa sot tentoi edhe ta vras me armë zjarri.

Në momentin kritik, Sinjali merr vesh se viktima ka qenë me një fëmijë të moshës rreth 12-vjeçare, që e pa tmerrin me sy.

Të njëjtat burime thonë se çifti me mbi 30 vjet diferencë në moshë nuk kanë qenë të kurorëzuar, por vetëm kanë bashkëjetuar qe një kohë.

42-vjeçarja dyshohet se fillimisht është plagosur në abdomen, e më pas i dyshuari e ka goditur me armë në kokë duke i shkaktuar lëndime të rënda.

Nga Klinika Emergjente kanë bërë me dije se viktima u dërgua në gjendje të rëndë, por fatmirësisht për momentin është me vetëdije.

“I ka kryer disa intervenime, por për momentin gjendja është stabile. Ka disa plagë hyrëse dalëse por gjendja është stabile”.

Rasti është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.

“Sot rreth orës 07:30 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në Bresje- Fushë Kosovë. Personi i plagosur (femër) është dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar, ndërkohë që hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.” – ka thënë Flora Ahmeti për Sinjalin.

Lexo edhe:  Mësohet si u aksidentua e reja nga Vushtrria që vdiq sot – pak minuta pasi nënshkroi kontratë për punë