Ndërprerje e ujit të pijshëm në Vushtrri: “Uji të mos përdoret për pije por vetëm për amvisërisë”
Kompania rajonale e ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se qytetarët e Vushtrrisë do të përballen me reduktime dhe ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë, për shkak të riparimeve që po kryhen në pajisjet e sistemit FTU-Balinc.
Sipas njoftimit zyrtar, këto punime teknike kanë detyruar kompaninë të zvogëlojë përkohësisht prodhimin e ujit, çka do të rezultojë në ndërprerje të herëpashershme të furnizimit për konsumatorët në këtë komunë.
Kompania ka rekomanduar që deri në një njoftim të ri, uji të mos përdoret për pije, por mund të shfrytëzohet për nevoja të zakonshme të amvisërisë dhe përdorime të tjera të përgjithshme.
“Ujësjellësi Mitrovica” ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin dhe ka premtuar se do të informojë me kohë për çdo zhvillim të mëtejmë.