Ndahet nga jeta veprimtari i çështjes kombëtare, Ilmi Ramadani
Ka ndërruar jetë veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Ilmi Ramadani.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur ish-ambasadori dhe familjari i tij, Qëndrim Gashi, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Sot ndërroi jetë një prej heronjve të Kosovës që aq shumë sakrifikoi për lirinë e vendit gjatë gjithë jetës së tij, z. Ilmi Ramadani. Do ta kujtojmë me dashuri e me respekt, ashtu siç na trajtoi dhe mbështeti ai aq shumë neve. Ngushëllime familjarëve, miqve, bashkëpunëtorëve. Lavdi vepra e tij madhore!”, ka shkruar Gashi.
Për vdekjen e tij ka njoftuar edhe Partia Demokratike e Kosovës.
“Me dhembje të thellë morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Ilmi Ramadani. Përherë në shërbim të atdheut – është fraza që e përkufizonte Bacën Ilmi, i cili si atdhetar i paepur, i burgosur politik, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe këshilltar i kryetarit Kadri Veseli, dha kontribut të pakursyer për vendin. Kryetari Krasniqi dhe Partia Demokratike e Kosovës shprehin ngushëllimet më të ndjera për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe bashkëveprimtarët e Ilmi Ramadanit.” thuhet në njoftim.