Ndahet nga jeta mësuesja që edukoi breza të tërë në kryeqytet, Remzije Selimi
Mësuesja Remzije Selimi që edukoi breza të tërë në shkollat “Dardania” dhe “Xhemail Mustafa” në kryeqytet, u nda sot nga jeta.
Lajmin e bëri të ditur drejtoresha e Arsimit, Jehona Lushaku Sadriu, e cila e përshkroi mësuesen e ndjerë si një udhërrëfyese që edukoi nxënësit me vlera të larta dhe një pasion të çmuar për arsimin.
“Lamtumirë mësuesja Remzije
Kur një mësuese na lë, të gjithë humbim nga një pjesë të kujtimeve të bukura të fëmijërisë sonë e të këshillave urtake. Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mësueses së nderuar, Remzije Dauti Selimi. Ajo për vite të tëra kontribuoi me përkushtim të jashtëzakonshëm në edukimin e brezave të rinj, duke lënë pas vetes një trashëgimi të vyer në shkollën ‘Dardania’ dhe ‘Xhemail Mustafa’ në kryeqytet.
Mësuesja Remzije ishte më shumë se një edukatore; ajo ishte një udhërrëfyese e dashur që edukoi nxënësit me vlera të larta dhe një pasion të çmuar për arsimin.
Ngushëllimet tona më të sinqerta i shprehim familjes dhe kolektivit të shkollës. Kujtimi dhe kontributi i saj do të mbeten të paharruar.
Për mua do të mbetet një mike e këshillat e saj do të jetojnë sa të është jeta.“