Naim Murseli dhe të tjerët arrijnë në Gjykatë, pritet të dëshmojë vëllau i Liridona Ademajt
Ka nisur seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj Naim Murselit, Granit Plavëz dhe Kushtrim Kokallës të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Të dyshuarit janë sjellë në sallë nën masa të rrepta të sigurisë, ndërsa të pranishëm në seancë janë edhe familjarët e Liridona Ademajt.
Në salla ka arritur edhe Leonard Ademaj, vëllau i të ndjerës Liridona Ademaj.
Sipas juristes për media, Flutura Kusari, gjatë seancës së sotme pritet të dëshmojë vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim të papritur në agjendë.
Pak ditë më parë, Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar vlerësimin psikiatrik ndaj Murselit.
Sipas raportit zyrtar, “tek i ekzaminuari Naim Murseli nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore, as e përkohshme dhe as e përhershme”.
Raporti gjithashtu konstaton se në momentin e kryerjes së krimit, Murseli ka qenë plotësisht i vetëdijshëm për veprimet dhe pasojat e tyre.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm. I akuzuari tjetër, Granit Plava, nuk dha deklaratë lidhur me fajësinë, ndërsa Kushtrim Kokalla kërkoi kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen. Vetëm Tom Dodaj pranoi fajësinë dhe u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.