Mustafi e vendos flamurin kuqezi në Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, ka ngritur flamurin shqiptar në objektin e këtij këshilli.
Mustafi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se flamurin e ngriti, për nder të sakrificës së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit! Edhe sot si katër vjet radhazi, nga pozita e kryetarit të këtij institucioni, vendosëm të valoj flamurin kombëtar në Këshillin Kombëtar Shqiptar. Në nderë të sakrificës së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Pavarësisht, përndjekjes së autoriteteve serbe e ndalimit me ligj”, ka shkruar Mustafi në Facebook.
Sipas tij, nuk është zgjidhje vendosja e flamurit kombëtar krahas atij serb për një ditë si kompromis në heshtje i moszhvillimit të procedurave të kundërvajtjes. E as vendosja e flamurit kombëtar për një ditë të vetme.
“Vetë ndalimi me ligj i flamurit kombëtar shqiptar është njollosje e tij nga shteti. Nuk i takon shtetit t’i përzgjedhë veçoritë identitare të bashkësive të ndryshme etnike/kombëtare. Këshillit Kombëtar Shqiptar do ta vazhdojë betejën politike dhe juridike për legalizimin e simboleve kombëtare shqiptare. Simbolet tona. Pa ndryshime. Pa dallime”, ka shtuar ai.
Ai shtoi se simbolet kombëtare nuk duhen ndryshuar.
” Janë ligjet diskriminuese ato që duhen ndryshuar. Flamuri kombëtar shqiptar do të valojë në Luginën e Preshevës”, ka vazhduar ai.