“Mshele gojën se të gjuj për dritare”, me revole në brez ish-kryetari i Apelit kërcënoi hulumtuesin në emision
Përplasjet verbale që kishin nisur gjatë emisionit kanë përfunduar me kërcënime në përfundim të tij.
“Nal bre një herë kadale, ulu qaty, rri një herë”, dëgjohet duke i thënë ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, hulumtuesit të IKD-së, Flamur Kabashi gjatë emisionit me temën “Kush po i ndihmon kriminelët të arratisen?” më 21 maj të vitit 2024.
Shala ishte nxehur kur Kabashi i kishte kritikuar gjykatat për lojën “ping-pongut” që e bëjnë duke kthyer rastet sa te njëra gjykatë në tjetrën.
Shala e kishte akuzuar IKD-në për sponsorizim nga jashtë.
“Pse ti merr donacione prej shteteve të huaja dhe jep raporte për qejf të atyne është problem krejt tjetër. Unë di shumë mirë çka keni ba ju kur ka qenë fjala për vetting, e ju keni marr donacion me miliona”, kishte thënë Shala në këtë emision.
Mirëpo episodi i Shalës me fyerje nuk kishte përfunduar këtu. Ai kishte vazhduar edhe me kërcënime pas përfundimit të emisionit në ATV. Ish-kryetari i Apelit, tani avokat, e kishte kërcënuar me hedhje nga dritarja.
“Mshele gojen more balosh se të gjuaj për dritare”, mësohet t’i ketë thënë ish-kryetari i Gjykatës së Apelit hulumtuesit të IKD-së, Flamur Kabashi.
Krejt këto kërcënime, ish-kryetari i Apelit i ka bërë teksa në brez ishte mbajtur një revole.
Menjëherë pas kësaj ngjarje, Flamur Kabashi e kishte denoncuar rastin në polici dhe më pas policia, me urdhër të Prokurorisë, kishte nisur hetimet.
Fillimisht rastin e kishte trajtuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, mirëpo rasti kishte kaluar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, për shkak të konfliktit të mundshëm të interesit, pasi që djali i ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit punon në Prokurorinë Themeleore të Prishtinës.
Pas mbledhjes së provave dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë më 17 dhjetor të vitit të kaluar kundër Hasan Shalës, për shkak të dyshimit të bazuar të vepres penale “Kanosje”.
Hasan Shala në të kaluarën ka pasur poste të larta nëpër institucionet e drejtësisë, për dy mandate ai ka qenë kryetar i Gjykatës së Apelit, si dhe ka qenë kryesues i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Emri i Shalës është lakuar edhe në “aferën pronto“.
Në dhjetor të vitit 2011, ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, pranoi një telefonatë nga avokati dhe miku i tij, Idriz Ibraj. Ai i sugjeronte Grabovcit që të mbështesë kandidaturën e një personi të quajtur Hasan, për një detyrë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.