Mozzik: Kjo me orë ishte skenar nga unë, VV ka probleme me mua – Hekurani e Dimali
Reperi Gramoz Aliu, i njohur si Mozzik, ka bërë reagimin e parë pas ngjarjes që pati në aeroportin e Prishtinës, ku mendohej se është arrestuar për shkak të mosdeklarimit të një ore të shtrenjtë. Ai akuzoi Vetëvendosjen për përndjekje.
Mozzik tha se ai e inskenoi krejt këtë ngjarje me një orë që në fund doli të jetë fallco, por se në kohën e ardhjes në aeroport u ndal nga zyrtarët në detyrë për mosdeklarim të orës.
“Moti kohë disa nga VV-ja e kanë personale me mua. Kjo që ndodhi me orën këto ditë ishte një lojë me skenar nga unë, por e vërteta është se ata e kanë bërë çështje personale me mua prej shumë kohësh – dhe këtë e dini edhe vetë”, tha Mozzik në Facebook.
Ai madje përmendi edhe me emra dy deputetët e VV-së, Hekuran Murati dhe Dimal Basha, për të cilët tha se bënë presion mbi zyrtarët në detyrë që Mozzik të ndalohej.
“Personat që ishin në detyrë atë natë, mos u frikësoni! Dilni dhe tregoni hapur, ashtu siç ma keni thënë mua vetë, që keni pasur presion prej Hekuranit e Dimalit për të më ndalur në aeroport. Dilni dhe kallxoni se kjo ishte sulm politik – sepse nuk ka asgjë për t’u turpëruar”, shkroi më tej Mozzik.
Në fund, Mozzik tha se është në hall që dy vjet me ATK-në dhe padrejtësitë që i bëhen, por ai siguroi se paratë i ka fituar vetëm përmes talentit të tij dhe jo me drogë ose hajni