Motoçiklisti përplaset me një veturë në Rahovec, dërgohet në spital me lëndime të rënda

Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.

Një aksident në trafik ka ndodhur edhe të shtunën në fshatin Kramovik në Rahovec, ku një motoçiklist dhe një veturë janë ndeshur mes vete.

Sinjali mëson se motoçiklisti po dyshohet se e ka shkaktuar aksidentin, duke u përplasur me veturën dhe për pasojë ka pësuar lëndime të rënda trupore. Përveç tij, edhe dy persona që ndodheshin në veturën e përfshirë në aksident janë lënduar.

Burimet brenda Spitalit të Gjakovës kanë njoftuar se motoçiklisti po vazhdon trajtimin mjekësor, për shkak se ka pësuar frakturë në këmbë.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia, me ç’rast janë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë mosrespektimi i rregullave.

Lexo edhe:  ”Përshëndetje nga Çairi” – Ish-ushtari i UÇK-së Blerim Ramadani reagon pas lirimit nga burgu i Maqedonisë së Veriut