Motelet sfidojnë shtetin, aty pranohen klientë edhe nën moshë – s’kërkohet letërnjoftimi
Në fund të muajit maj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë miratuar me 76 vota pro dhe asnjë abstenim Ligjin për Turizmin. Përmes këtij Ligji parashihet edhe çështja e inspektimit të hoteleve dhe moteleve.
As tre muaj pas, ky Ligj nuk po arrin që të aplikohet për shkak të procedurave administrative, të cilat po zhagisin gjithë procesin e inspektimit ku mund të identifikohen hotelet dhe motelet të cilat nuk kanë një filtër klientësh, por pranojnë aty edhe persona të mitur të cilët abuzohen seksualisht.
E gjithë kjo, dyshohet se ndodhi shkaku që punonjësit e hoteleve dhe moteleve, nuk kërkojnë nga klientët e tyre mjetin e identifikimit. Lidhur me këtë çështje ka folur për Gazetën Sinjali kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva.
“Është e rregulluar me ligj, nuk guxon me pranu në motel pa e evidentu pa e kërkuar letërnjoftimin, nuk ka të drejtë hiç me pranu, e ka raste që anashkalohet kjo. Inspektorati i Tregut e ka për detyrë me shku me i kontrullu, sepse këta e mbulojnë këtë sektor këtë fushë” – tha Sogojeva.
Sogojeva tha se edhe pse Ligji për Turizimin ka hy në fuqi ne qershor të këtij viti e cila e rregullon çështjen e inspektimeve, ky ligj për tre muaj nuk ka mundur të aplikohet për shkak të procedurave administrative dhe merr kohë deri sa të caktohen detyrat specifike të inspektorëve.