Mjeku nga Gjilani që ofron kontrolla falas: Më bllokohet telefoni nga thirrjet

Dr. Armend Rexhepi është jo pak i njohur në Gjilan ku edhe ai jeton. Teksa po vijon specializim në vitin e dytë të sëmundjeve Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, paralelisht ai ndihmon në mënyrë vullnetare me vizita dhe me medikamente të gjithë ata që kanë nevojë.

Në emisionin Goodmorning Albanians në Eurones Albania mjeku tregoi se në momentin që gruaja e tij pati probleme gjate lindjes si edhe pasi babai në vitin 2019 u diagnostikua me kancer, atëherë si amanet nga i ati vendosi që të japë shërbim pa marrë pagesë mbrapsht.

Ai tha se thirrjet për ndihmë janë aq të shumta sa shumë shpesh telefoni i bllokohet.

“Shërbimet që ofroj unë, për sëmundjet infektove u ofroj shërbimin aq sa mundem, ndërsa për specialitete e tjera i udhëzoj tek specialisti. Janë disa kategori njerëzish që lehtësohen nga pagesa në spital, si invalidët, të moshuarit, gratë shtatzëna, por spitali i Prishtinës është shumë larg disa fshatrave, në këtë rast ata më telefonojnë mua”, tregoi mjeku.

Dr. Armend tregoi se iniciativën e tij ua ka bërë të njohur edhe kolegëve, por deri tani asnjë nuk i është bashkuar.

“Disa prej tyre më kanë thënë se njerëzit janë jofalenderues, dhe më këshillojnë të rri më shumë me familjen, por unë mendoj se duhet të lësh nga vetja që të arrish diçka”, u shpreh ai.

Lexo edhe:  Hill: Në vitin 2023 do të ketë më shumë investime amerikane në Serbi