Mitrovicasi tenton të nxjerr hakun e djalit që e dënoi Policia në trafik, shan dhe kërcënon zyrtarin policor
Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Pakënaqësitë për gjobat e shqiptuara në trafik janë një ndër arsyet kryesore që shtyjnë qytetarët të bëjnë veprime agresive ndaj zyrtarëve policorë. Një rast i tillë ka ndodhur dje në rrugën ‘UÇK’ në Mitrovicë.
Sinjali mëson se pasi një patrullë e Policisë ka shqiptuar gjobë për kundërvajtje në trafik ndaj një të riu, ata janë përballur me babain e tij i cili shau e ofendoi zyrtarin policor.
Për shkak të kërcënimeve ndaj policit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Kanosje’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.