Mishetiq: Shpalleni të pafajshëm Thaçin në të gjitha akuzat, nuk ka prova

Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq ka kërkuar shpalljen e pafajësisë ndaj ish-presidentit të Kosovës për të gjitha akuzat e ngritura kundër tij.

“Ju lutem shpallni të pafajshëm Thaçin në të gjitha akuzat”, ka deklaruar ai.

Mishetiq deklaroi se nuk ka asnjë provë që klienti i tij ka kryer krime.

Mishetiq tha se Thaçi nuk ka dorë as në hartimin e shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së.

“Konsensusi i provave dhe dëshmitarëve ndërkombëtarë dhe brenda UÇK-së ishte se Thaçi nuk dyshohej se ishte përfshirë në krime lufte apo në ndonjë politikë që shënjestronte kundërshtarët. ZPS nuk kishte përgjigje për të hedhur poshtë këto pretendime të hënën”, tha ai.

Mishetiq akuzoi Zyrën e Prokurorit të Specializuar se ka premtuar shumë, por që nuk ka gjetur prova për asnjë prej pretendimeve të tyre.

Ai gjithashtu akuzoi Prokurorinë për ndryshimin e provave, duke thënë se këtë e bëri “për të mbushur boshllëqet”. Mishetiq përmendi se në dosjen përfundimtare të Prokurorisë janë përmendur dy takime të Shtabit të Përgjithshëm, ku pretendohej se ishte folur për “luftën speciale” të të akuzuarve kundër bashkëpunëtorëve.

Avokati tha se ZPS pastaj e ndryshoi këtë, duke përmendur takime tjera që ishin të datave 23 korrikut, 19 nëntorit dhe 20 dhjetorit 1998, por pa qenë pjesë e dosjes përfundimtare.

Gjithashtu ai nënvizoi se ZPS kishte deklaruar se shefi i shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi kishte qenë pjesë e këtyre takimeve, teksa më herët ata kishin deklaruar se ai nuk kishte qenë pjesë e ashtu siç ZPS e quan, ‘ndërmarrjes së përbashkët kriminale’.

“ZPS nuk ka përgjigje. Dhe kjo është e pakuptimtë”, tha ai, duke shtuar se ZPS e kuptoi se e dëmtoi veten duke thënë se Zyrapi nuk ishte pjesë e NPK-së.

Lexo edhe:  Këtë vit janë larguar më shumë pjesëtarë të FSK-së sesa në dy vitet e mëparshme