MINT: Inspektorët po verifikojnë çmimet e kalldajave e stufave
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Inspektoratit të Tregut sot kanë inspektuar disa operatorë ekonomik me qëllim të verifikimit nëse ka pasur manipulime dhe ngritje të çmimeve të pajisjeve, të cilat do të subvencionohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës respektivisht Ministria e Ekonomisë.
Përmes një komunikate për media të MINT, u bo e ditur se numri më i madh i inspektimeve janë realizuar në Komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Gjakovës, Mitrovicës dhe disa komuna më të vogla si Hani i Elezit, Dragash, Kaçanik.
“Inspektorët e tregut kanë arritur të sigurojnë çmimet aktuale dhe i kanë detyruar operatorët ekonomik që të prezantojnë dokumentacionin e nevojshëm me ç’rast do të vërtetohet nëse ka ngritje të pajustifikueshme të çmimeve të pajisjeve në veçanti pompave termike, inverter, kaldaja, stufa etj”, thuhet në komunikatë.
Inspektorët e tregut kanë njoftuar bizneset që do të inspektohen dhe do të ndërmerren masa në çdo rast kur konstatohet që ka ngritje të çmimeve të pa arsyeshme e sidomos tani kur rritet kërkesa për produktet e lartcekura, për shkak të thirrjes për subvencionim nga Ministria e Ekonomisë.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë falënderon të gjithë konsumatorët që vazhdojnë të adresojnë ankesat e tyre në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit https://konsumatori.rks-gov.net/ , nr tel: 0800 11000 dhe siguron qytetarët se do të jetë aktive në bashkëpunim me inspektorët e tregut në komuna”, thuhet tutje në komunikatë.