Ministria e Gërvallës shpërblen djalin e Shkurte Fejzës, gradohet në pozitë
Arbër Behluli, djali i këngëtares së muzikës popullore, Shkurte Fejza, është graduar në pozitë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, muajin e kaluar.
Në një konkurs për pozitën e Zyrtarit të Lartë për Hulumtim dhe Strategji dhe vendimit të shpallur më 13 janar, Ministria e Punëve të Jashtme e ka përzgjedhur Arbër Behlulin si kandidatin më të suksesshëm për këtë pozitë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Behluli është vlerësuar me më së shumti pikë (68.84) nga Komisioni Vlerësues, raporton Paparaci.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bënë njoftimin për kandidatin fitues të rekomanduar nga Komisioni i Vlerësimit për lëvizje brenda kategorisë për pozitën: Zyrtar i lartë për Hulumtim dhe Strategji”, thuhet në vendimin për gradimin në detyrë të Arbër Behlulit.
Arbër Behluli ishte punësuar në Zyrën e Kryeministrit, në kohën e qeverisjes së Ramush Haradinajt.
Në mars të 2019-s, Behluli ishte pranuar në punë në pozitën Zyrtar i lartë për planifikim të politikave në Zyrën e Kryeministrit.
Për punësimin e tij në qeveri ishin ngritur dyshime për keqpërdorime nga kundër-kandidatit që kishin aplikuar për pozitën e njëjtë.
Fidan Ukaj, një magjistër i Shkencave Politike, nuk ishte pranuar në punë para Behlulit. Ai kishte pretenduar se nuk ishte pranuar në punë në qeveri për shkak se vendi i punës i ishte premtuar dikujt tjetër, duke aluduar në djalin e Shkurte Fejzës.