“M’i ki borxh 10 mijë euro” – Kanoset zyrtari komunal në Podujevë, shkak rrënimi i një vile pa leje

Një incident i pazakontë është regjistruar në Kuvendin Komunal të Podujevës, ku një zyrtar komunal është kanosur pas rrënimit të një vile të ndërtuar pa leje.

Burime të besueshme, të afërta me hetimin, bëjnë të ditur se A.A., rreth 62-vjeçar, Shef i Inspeksionit në Komunën e Podujevës, ka raportuar në polici se është kërcënuar me jetë përmes telefonit nga Malsor Dili, rreth 37-vjeçar.

Sipas dëshmisë së Ahmetit, i dyshuari i kishte thënë: “Mi ki borxh dhjetë mijë euro, ose përndryshe të vij te shpija.”

Ngjarja lidhet me rrënimin e një objekti pa leje në fshatin Orllan, ku, sipas deklarimeve, makineria komunale kishte depërtuar nëpër pronën e të dyshuarit, duke shkaktuar dëme materiale. Pikërisht kjo situatë besohet se ka nxitur reagimin dhe kanosjen.

dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa prokurori kujdestar, e ka kualifikuar rastin si “Kanosje”, duke urdhëruar lirimin e tij në procedurë të rregullt.

Në lidhje me rastin është njoftuar edhe Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ku pritet të transferohen hetimet për trajtim të mëtejmë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  “Andi dhe i ndjeri ma kanë bërë me shenjë..”- Si u përfshi Hisni Gecaj në konfliktin e armatosur në qendër të Prishtinës?