Mësimdhënësit i dhanë afat Qeverisë deri sot t’i ekzekutojë pagat, në të kundërtën rikthehet greva

Mësimdhënësit e shkollave të Kosovës nuk kanë marrë ende pagat e muajit shtator. Kjo pasi që Qeveria ka vendosur të mos i ekzekutojë pagat për punëtorët e arsimit të cilët kaluan muajin në grevë.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës i ka dhënë Qeverisë ultimatum që gjatë ditës së sotme të ekzekutohen pagat, në të kundërtën mund të rikthejnë grevën e cila u pezullua përkohësisht deri në janar të 2023.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nëse nuk procedohen pagat deri më 5 tetor, mund të kthehen sërish në grevë, pasi që sipas tij, vendimi i Qeverisë për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë e cilësojnë si dëshirë të kësaj të fundit për vazhdimin e grevave dhe konflikteve.

Nga Qeveria gjatë ditës së djeshme kanë përsëritur sërish se nuk do të ketë kompensim në paga për grevistët.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në një postim në rrjetin social Facebook, ka akuzuar Komunat duke thënë se nuk e kanë përmbushur obligimin e tyre që të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministrinë e Financave.

Ajo ka thënë se i kanë dorëzuar ato të dhëna që i kanë pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI-it nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta.

Nagavci ka bërë të ditur se tashmë dikasteri që ajo drejton ka marrë vendim për kompensimin e orëve mësimore të humbura gjatë grevës së SBASHK-ut dhe në kuadër të këtij vendimi, MASHTI i ka bërë edhe një propozim Ministrisë së Financave lidhur me çështjen e pagave për mësimdhënësit.

Sipas propozimit të saj, se në rast se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e vitit shkollor 2022-2023, Ministria e Financave do të shqyrtojë mundësinë e pagesës në avans.

Lexo edhe:  E rëndë në Drenas: Djali e bën për spital nënën dhe ikë nga shtëpia, ajo kërkon ndihmë në Polici

Por mësimdhënësit kanë deklaruar se janë kundër kompensimit të orëve të humbura dhe Jasharaj është shprehur se ndryshimi i kalendarit të vitit shkollor nuk duhet të bëhet.