Mërgimtari nga New York: Ne mërgimtarët kemi inat për ata që jetojnë në Kosovë
Një postim i mërgimtarit Arsim Berisha, i cili jeton prej 25 vitesh në New York, ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, duke hapur debat mbi raportin mes diasporës dhe qytetarëve që jetojnë në Kosovë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Në shkrimin e tij, Berisha shpreh hapur qëndrimin kritik ndaj rolit të disa mërgimtarëve në vendimmarrjen për Kosovën, duke theksuar se është e padrejtë të vendoset nga larg për jetën e atyre që përballen çdo ditë me realitetin në vend.
“Jetoj në New York prej 25 vitesh. Por kurrë s’do ta quaja normale që unë, prej mijëra kilometrash larg, t’ua përcaktoj fatin atyre që jetojnë çdo ditë me pasojat e qeverisjes në Kosovë,” shkruan ai.
Berisha pohon se një pjesë e diasporës ka krijuar ndjenja pakënaqësie dhe inati ndaj qytetarëve në Kosovë.
“Ne diaspora kem inat për ata në Kosovë. Kem inat që ata po jetojnë në vendin e vet, e neve na u dashtë me e lëshu at vend,” shprehet ai.
Ai shton se ky inat lidhet edhe me faktin se shumë qytetarë në Kosovë po ndërtojnë jetë dhe pasuri në vendin e tyre.
“Ne diaspora kem inat që shumë nga qytetarët që jetojnë në Kosovë po mbërrijnë kapital privat, prona, vetura e shtëpi lulzoze, të cilat ne qe 30 vite në diasporë nuk po mundemi me i ba,” shkruan Berisha.

