Mërgimtari nga Gjermania parkon veturën te stacioni policor, shan dhe kërcënon policët që i kërkuan largimin

Një mërgimtar nga Gjermania është arrestuar të enjten në Ferizaj, pasi ka ofenduar, kërcënuar dhe sulmuar zyrtarë policorë që i kërkuan të largonte veturën e parkuar para hyrjes së stacionit policor.

Sipas Policisë, rreth orës 15:40 një veturë me targa të huaja ishte parkuar para portës hyrëse të stacionit, ndërsa shoferi refuzonte të zbatonte urdhrat për t’u larguar. I dyshuari, A.N., 35 vjeç, përdorte vazhdimisht fjalë fyese dhe kanosëse ndaj zyrtarëve policorë, duke shfaqur sjellje agresive.

Gjatë ndërhyrjes, ai u është vërsulur policëve, me ç’rast zyrtarët janë detyruar të përdorin sprej mbrojtës për ta neutralizuar dhe arrestuar. Si pasojë e incidentit, tre zyrtarë policorë dhe i dyshuari kanë pësuar lëndime të lehta.

Në rast është përfshirë Njësia e Hetimeve Rajonale dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është iniciuar rasti “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar tek qytetarët që të respektojnë urdhrat e ligjshëm të zyrtarëve policorë, duke theksuar se bashkëpunimi kontribuon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë trafiku në qendër të Vushtrrisë, ka të lënduar