Mërgimtari në Gjakovë e rrah gruan pasi erdhën për pushime, përfundon në pranga të Policisë
Numri i rasteve të dhunës në familjet kosovare është në rritje çdo ditë e më shumë. Jo rrallëherë ndodh që në Polici të denoncohen edhe problemet mes çifteve nga diaspora, të cilët i zë sherri posa arrijnë në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është denoncuar së fundmi nga një grua në Gjakovë, e cila e ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë fizike ndaj saj.
Sinjali mëson se viktima ka kërkuar ndihmë në Polici dhe ka raportuar se burri e ka sulmuar fizikisht pasi kanë ardhur në Kosovë për pushime, para disa ditësh.
Bazuar në dëshminë e saj, i dyshuari i ka shkaktuar lëndime trupore, por edhe shqetësim e frikë.
Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, duke siguruar prezencën e të dyshuarit.
I njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar si i dyshuar për këtë rast.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Dhuna në familje” dhe masën e ndalimit policor.