Mërgimtari kthehet në fshatin e tij për të kujtuar dëshmorët, emocionon të gjithë me fjalimin
Sot, më 2 prill, nën organizimin e biznesmenit nga Zvicra, me prejardhje nga Lladova e Gjilanit, Besnik Ajeti si dhe Këshillit të Fshatit në fjalë, u mbajt një tubim përkujtimor për të rënët e kësaj ane, shkruan Portali Mërgata.
Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve komunale e zyrtarë të tjerë, përfshirë kryetarin Alban Hyseni.
Një fjalim fort emocionues para familjarëve të dëshmorëve e martirëve e mbajti pikërisht mërgimtari Besnik Benz, një biznesmen i spikatur që nuk ka harruar rrënjët e tij gjilanase.
“Jemi mbledhur sot, në këtë ditë të shënuar, për të përkujtuar ata që për ne shënuan kthesën historike, kthesën e flijimit të vetvetes së tyre që ne të na mundësojnë frymimin e lirshëm që kemi sot, realizimin e ëndrrave si dhe jetesën normale, pa okupuesit mbi kokën tonë”, tha Besniku.
Ai shtoi se martirët e dëshmorët e Lladovës janë simbol i lirisë e sakrificës që në vazhdimësi kanë frymëzuar rrugën e drejtë të pasardhësve të tyre.
“Martirë e dëshmorë të Lladovës heroike, sot janë simbol lirie e sakrifice që në vazhdimësi na kanë frymëzuar të vazhdojmë në rrugën e drejtë e mos të harrojmë kurrë faktin se kush jemi, prej nga vijmë, e sa shumë kemi vuajtur për ta pasur realitetin që kemi sot”, shtoi Besnik Ajeti.
“Malli e dhimbja sot duhet të zëvendësohen me krenari. Kujtimi për të rënët e kësaj toke sot, teksa jemi mbledhur në këtë numër, duhet të jetë zë i fuqishëm në ndërgjegjen e gjithësecilit se këtij vendi ia kemi borxh ta mbrojmë e ta ndërtojmë, ashtu siç i ka hije, ashtu siç kemi imagjinuar gjithmonë”, tha ai.
““Mora fjalë” do të thoshte Shkurte Fejza kur do ta kujtonte komandantin legjendar Adem Jashari, e unë sot them se mora fjalë për t’iu thënë se 2 prilli i 1999-ës është ngjarja kulminore që ia dha përjetësinë Beqir Mahmutit, Zijadin Mahmutit , Daut Mahmutit , Hevzi Ajetit , Ganimete Ajetit, Ahmetali Ajetit, e Xhemail Ymerit”, tha ai.
“Pranvera sivjet, ashtu si çdo vit, çeli me kujtimin për heroizmin tuaj. Ju i sollët fshatit tonë lavdinë e përhershme, e ne përherë do t’i jemi falënderues”, theksoi ai.