Mërgimtares së mitur nga Zvicra i pështillet valixhja gjatë udhëtimit, ia vjedhin 7 mijë euro

Gjatë udhëtimit me aeroplan, shpesh herë ndodhë që valixhet e pasagjerëve të ngatërrohen me të njëri-tjetrit e në disa raste edhe të humbin tërësisht. Me një shqetësim të tillë u përball edhe një mërgimtare e cila mori rrugën nga Zvicra për në Kosovë me avion.

Sinjali mëson se në fillim të muajit një 17-vjeçare e cila vendosi t’i kalojë disa ditë pushime në vendlindje, ka kërkuar ndihmën e Policisë për shkak se njëra nga valixhet që kishte me vete, po mungonte.

Siç bëjnë të ditur burimet, bazuar në dëshminë e saj, posa ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, është njoftuar nga punonjësit se njëra nga valixhet nuk ka arritur ende. Valixhja arriti pak më vonë dhe viktima ishte ftuar që të shkojë dhe ta marrë atë.

Por me të kontrolluar çantën e saj, ajo ka vërejtur se mungon një shumë e konsiderueshme parash të cilat i kishte lënë në valixhe. Sipas saj me vete kishte hiç më pak se 7 mijë euro para të gatshme, të cilat nuk dihet ende se në duart e kujt kanë përfunduar.

Njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes, ku në kuadër të veprimeve hetimore kanë shikuar kamerat e sigurisë dhe kanë intervistuar punonjësen e aeroportit, e cila ka bërë të ditur se kompania nuk merr përgjegjësi për gjërat me vlerë që futen në valixhe.

Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, teksa janë marrë veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë, dy persona të lënduar - njëri shihet i shtrirë në rrugë