“Më shumë se të fajdexhive e kanë normën”, qytetarët ankohen për kamatat e bankave në Kosovë

“Po shumë, kamata super të larta”, kështu kanë konkluduar qytetarët kur janë pyetur nga Gazeta Sinjali se “a janë të larta normat e interesit të bankave komerciale në Kosovë?

Numri i qytetarëve që kanë marrë kredi nëpër bankat e komerciale të Kosovës është rritur për rreth 13 mijë deri në nëntor të vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Gati 200 mijë qytetarë u janë drejtuar bankave të Kosovës për kredi gjatë vitit që shkoi, ndërkaq, shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar deri në muajin tetor ka qenë rreth 5 miliardë euro.

Krahas kësaj, rritje ka shënuar edhe norma mesatare e interesit për dy për qind, sa ishte 6.2 për qind në vitin 2022.

Për këtë të fundit janë ankuar qytetarët në platformën e Gazetës Sinjali në Facebook, kur janë pyetur se “a janë të larta normat e interesit të bankave në Kosovë?

Disa nga ata kamatat e larta të kredive i kanë konsideruar më të larta se të fajdexhive.

“Jo të larta, po më shumë se të fajdexhive e kanë normën”, ka shkruar njëri nga komentuesit.

Derisa tjetri i ka quajtur “fajdexhi të licencuar”, sikur edhe një komentues tjetër që thotë: fajde me letra legale.

Dikush tjetër ka thënë, “po shumë, por nga zori po duhet me hy”.

Ndryshe, bankat komerciale në Kosovë kanë arritur të sigurojnë profit të lartë gjatë periudhës janar-tetor 2023.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), për dhjetë muajt e vitit që shkoi nga kreditë bankare dhe shërbimet tjera, bankat komerciale kanë pasur fitim të pastër 141 milionë euro ose rreth 20 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të viti 2022.

Lexo edhe:  Dramë në Hagë, Pjetër Shala largohet nga seanca i nervozuar