Me nga 21 vjet burgim dënohen dy të akuzuarit për vrasjen te “Kafet e vogla”

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dhënë dënim me 21 vjet burg Agron Vllasaliu dhe Arlind Ahmeti për vrasjen e Nehar Sahitit në vitin 2017 në Prishtinë.

Alban Ajvazi kryetar i trupit gjykues ka thënë se të akuzuarit dënohen me nga 21 vjet burgim për veprën “vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe “armëmbajtje pa leje”.

“Të akuzuarve u vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit”, ka thënë ai.

Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar me 17 vjet të akuzuarin Ahmeti për shtytje në vrasje dhe armëmbajtje pa leje në prill të 2019-tës. Gjykimit i kishte ikur i akuzuari Vllasaliu, që është ekstraduar për në Kosovë më 2021-tën. Por, pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Ahmeti në Gjykatën e Apelit, rasti ishte kthyer në rigjykim po atë vit.

Prokuroria i akuzonte të dy për “vrasje të rëndë në bashkëkryerje” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore Prishtinë e ngritur vitin e kaluar pohonte se Agron Vllasaliu pas marrëveshjes paraprake me Arlind Ahmetin e ka vrarë me armë zjarri Nehar Sahitin duke ua rrezikuar jetën edhe pesë të dëmtuarve të tjerë që morën edhe lëndime.

Pretendimi i prokurorisë ishte se më 24 nëntor 2017 afër lokalit Francisko në rrugën “Fehmi Agani” në kryeqytet, pasi i akuzuari Ahmeti ka shkëmbyer fjalë me vëllezërit e të ndjerit, Vllasaliu e ka hapur xhamin e veturës në të cilin po qëndronte dhe ka shtënë dy herë me armë zjarri me ç ‘rast Sahiti nuk i mbijetoi plagëve e u plagosën edhe pesë persona e tjerë.

Lexo edhe:  Policia thotë se dënimet për targat serbe nisin nesër në ora 08:00, jo në 00:00