“Me Kanun” – Burri në Skenderaj shkon të kërkojë llogari te familja e policit që ia arrestoi nipin
Shumë familje kosovare ende funksionojnë në bazë të ligjeve të pashkruara zakonore të cilat janë trashëguar brez pas brezi nga pleqtë fisnorë. Ata vazhdojnë të tentojnë që të gjitha problemet t’i zgjidhin sipas Kanunit dhe jo përmes organeve të rendit e drejtësisë.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Skenderaj, ku familja e një zyrtari policor është përballur me kërcënime nga një qytetar, të cilin e ka arrestuar polici gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Sinjali mëson se babai i qytetarit që u dënua, fillimisht kishte shkuar në shtëpinë e xhaxhait të zyrtarit policor, e më pas kishte kërkuar të takohej me babain e policit. Nga babai i policit ai ka kërkuar llogari për arrestimin e djalit të tij, duke e paralajmëruar se janë familje e madhe dhe janë ende në fuqi disa rregulla kanunore.
Përballë kësaj situate, babai i policit ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku në stacion policor ka rrëfyer gjithë atë që ka ndodhur.
Njësitë policore janë vënë menjëherë në lëvizje, duke shoqëruar në stacion të dyshuarin, ndaj të cilit me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Kanosje’.