Me “dyfish më shtrenjtë”, Kosova trumbeton inflacion të ulët

“Ngritje pa kontroll e çmimeve”, “Çmimi i bukës në rritje”, “Çmimet e patundshmërive shkojnë në qiell”. Këta janë disa nga titujt që mund të lexoheshin shpesh në mediat në vend, sidomos nga fillimi i vitit 2022 e këndej.

Atëkohë, Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës dhe konflikti mes tyre – që të dyja eksportuese të mëdha të produkteve në botë – shkaktoi rritje të inflacionit – apo të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve – gjetiu.

Kosova, si vend importues i shumicës së produkteve, nuk mbeti e paprekur.

Vitin 2022 e mbylli me normë mesatare të inflacionit rreth 12 për qind. Më 2023 dhe këtë vit, inflacioni shkoi duke rënë në numra njëshifrorë, por jo edhe çmimet e shërbimeve dhe të produkteve të konsumit.

REL-i publikoi një tabelë krahasuese të inflacionit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së e Eurozonës.

Shifrat e siguruara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, e nxorën vendin me inflacionin më të ulët në gusht – 1.4 për qind – që është më pak se edhe mesatarja e BE-së, edhe e Eurozonës.

Për krahasim, inflacioni në gushtin e vitit 2023 ishte 3.2 për qind.

Autoritetet e Kosovës i trumbetuan shifrat si sukses të tyrin.

Por çka mendojnë disa qytetarë në Prishtinë për çmimet në treg?

Për njërin prej tyre, inflacioni është shumë më i lartë se shifra e ASK-së prej 1.4%.

“Këtë e shohim në furnizimet e përditshme, në ushqime, në veshmbathje… Nëse i krahasojmë ushqimet, për shembull – tash është sezoni kur ne kemi qejf të konservojmë turshi – [çmimet] janë dyfish më të larta se vitin e kaluar”.

“Jam duke shpenzuar dyfish më shumë në disa produkte të caktuara, krahasuar me shumën që kam shpenzuar para një viti”, ka thënë një punonjëse.

Lexo edhe:  “Mexi pritsha me hi në shpajz me hongër diçka”- Blerta Deliu tregon si e festonin Vitin e Ri

“Merr qumësht, varësisht prej llojit, ke ngritje goxha të madhe të çmimit. Ujin kur duhet ta blesh, apo të gjitha produktet që nuk bën pa to… ato të higjienës… e vërej që kanë ngritje të madhe [çmimesh]”, shtoi ajo.

Ndërsa një qytetar tjetër thotë se produktet ushqimore janë shumë më shtrenjtë, krahasuar me vitin e kaluar.

“Mund të them se çfarë kemi blerë më herët me 200 euro – harxhin mujor – sot nuk mund ta marrësh ndoshta as me 300 euro. Jetesa jonë është shtrenjtuar dhe nëse nuk dimë ta menaxhojmë paranë, e kemi problem ta lidhim muajin me muaj”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Paga mesatare në Kosovë është rreth 520 euro, ndërsa minimalja nga 1 tetori pritet të jetë 350 euro.

E pandryshuar nga viti 2011, vlera e minimales aktualisht është 130-170 euro.