Me armë në dorë, grabitësit sulmojnë punëtorin e “IP Petrol” në Prishtinë – i marrin para e iPhone

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet e armatosura, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri për bizneset.

Një grabitje e armatosur është raportuar të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në kryeqytet, ku dy persona të maskuar kanë hyrë në një pompë derivatesh dhe nën kërcënimin e armëve kanë arritur të marrin para dhe një telefon.

Gazeta Sinjali mëson se bëhet fjalë për grabitje të armatosur në pompën e derivateve “IP Petrol”.

Siç merr vesh Gazeta Sinjali dy persona të panjohur dhe të maskuar kanë hyrë brenda në marketin e pompës. Njëri prej tyre ka qenë i armatosur me pistoletë, ndërsa tjetri mbante thikë në dorë.

Të dyshuarit, nën kanosjen e armëve, kanë arritur të grabisin rreth 370 euro para të gatshme dhe një telefon të tipit iPhone 12 Pro Max.

Viktima, mëson Gazeta Sinjali se ka tentuar të rezistojë, por është sulmuar fizikisht nga grabitësit, duke pësuar lëndime të lehta trupore, për të cilat ka marrë trajtim mjekësor dhe është pajisur me raport.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Policisë ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.

Me rastin është njoftuar prokurori i cili e ka cilësuar rastin si “Grabitje”.

Lexo edhe:  Kërkuan të lirohen nga paraburgimi, Gjykata e Apelit e refuzon - i vazhdohet paraburgimi infermiereve