Me 7 stenda në zemër, profesori nga Gjakova detyrohet të japë mësim

Mosha e ka lodhur fort. Por rrudhat e ballit i janë shtuar edhe më shumë nga sëmundja e rëndë që i është shfaqur viteve të fundit.

Atë pak energji që ka, profesori Ilir Zeka, i cili punon në gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë, mundohet ta japë te nxënësit, ani pse lënda e Edukatës Fizike kërkon shumë më shumë aktivitete, raporton Kiks Kosova.

Profa Ilir, siç e quajnë nxënësit e tij, thotë se është keq nga shëndeti që nga viti 2017, kohë kjo kur e pësoi infarktin e parë dhe më pas i pati edhe dy sulme të tjera.

Pas kësaj, në trupin e tij, konkretisht rreth zemrës, i janë vendosur 7 stenda.

Por pavarësisht kësaj, dhe probleme shëndetësore që i vijnë si pasojë e tre infarkteve në zemër, Ilir Zeka me atë pak forcë që i ka mbetur, detyrohet të shkojë çdo ditë në shkollë për të mbajtur orët e Edukatës Fizike.

Krejt kjo, për të mos e humbur vendin e punës, e nxënësit të mos humbin asnjë orë mësimore.

Pavarësisht problemeve, nxënësit e tij thonë se profi Ilir mundohet ta japë maksimumin për ta.

Vitin e kaluar, ky i fundit ka treguar se kishte marrë pushim mjekësor për një gjysmë vjetor.

Gjatë asaj periudhe ka thënë se mori pagë të plotë, derisa në vend të tij ishte angazhuar një mësimdhënës tjetër.

E këtë ia kishte mundësuar Ministria e Arsimit, e cila pati ndarë një fond prej 1 milion e 700 mijë euro për këto raste.

Por gjatë këtij viti u detyrua të kthehet prapë në shkollë, pasi siç thotë ai, nga komuna e kishin lajmëruar se pushimi mjekësor nuk mund t’i paguhet edhe në vitin 2024.

Meqë i ka mbetur edhe një vit deri në pensionim, profesori Zeka ka thënë se ka nevojë për pushim, të paktën për t’u kujdesur më shumë për shëndetin.

Lexo edhe:  Rrahet dhe theret me thikë pronari i një shtëpize në ‘sheshin e ri’, dy të arrestuar – një në arrati