Mbyllja e strukturave paralele serbe, OSBE: Rrezikon t’i përkeqësojë tensionet
Misioni i OSBE-së ka shprehur shqetësimin pas mbylljes së objekteve paralele të Serbisë në Shtërpcë dhe Leposaviq më 23 prill, duke theksuar se ky veprim ka pasur ndikim negativ në ofrimin e shërbimeve për komunitetet lokale.
Sipas OSBE-së, ndërprerja e shërbimeve kyçe, siç është qendra për mirëqenie sociale, pa ofruar alternativa të qëndrueshme, ka krijuar vështirësi të mëdha për komunitetet joshumicë dhe ka mundësuar rritjen e tensioneve të mëtejshme.
“Çështje të ndjeshme si këto duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, i cili mbetet rruga më efektive për zgjidhje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse,” thuhet në reagimin e OSBE-së.
Ky aksion ka përfshirë mbylljen e disa institucioneve paralele të Serbisë, përfshirë Fondin e Pensioneve dhe Invaliditetit (Fondi PIO), Shërbimin Kombëtar të Punësimit, dhe Fondin Republikan për Sigurime Shëndetësore në Leposaviq.
Po ashtu, janë mbyllur edhe Ndërmarrja Publike Komunale në Shtërpcë, si dhe kompania e ujësjellësit dhe mbeturinave “Novo Javno Preduzece” në Shtërpcë, e cila ka vepruar ilegalisht në këtë komunë.