Mbyllja e kompanisë së sigurimeve dhe lidhjet me Serbinë të biznesmenit Maloku

Një hulumtim i Paparacit zbulon lidhjet e multimilionerit Naser Maloku me Serbinë dhe të kaluarën e tij të dyshimtë biznesore. Maloku është aksionar i kompanisë që fitoi tenderin për fabrikën e mbetjeve nënshtazore, duke aplikuar në tender me një ortak serb. Në vitin 2021, ai e çoi drejt falimentimit një kompani të sigurimeve pasi e rrezikoi tregun duke operuar me ‘borxhe’ miliona euro. Një nga kompanitë e tij dyshohet për përfshirje në aferën Brezovica.

Aplikimi në thirrjen e Ministrisë së Bujqësisë për marrjen në shfrytëzim të Fabrikës për Përpunimin e Produkteve Nënshtazore bashkë me një ortak nga Serbia, nuk është lidhja e vetme e Naser Malokut me shtetin fqinj.

Maloku, aksionar në kompaninë ‘LIP KS & IT’ Sh.p.k., e fitoi në janar të këtij viti tenderin për marrjen në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e mbetjeve të kafshëve, në një proces të dyshimtë për një sërë shkeljesh ligjore.

Të mërkurën, portali Kallxo.com publikoi një pjesë të hulumtimit të tij që zbuloi se një nga bashkë-themeluesit e kompanisë “LIP KS & IT” Sh.p.k. është “MR & MNE” D.O.O., filiali i një kompanie serbe në Podgoricë të Malit të Zi.

Pronari i kësaj kompanie del të jetë Muamer Ragipoviq, një shtetas serb i cili e udhëheq kompaninë “MR & Co” D.O.O. me seli në Beograd.

Por, një muaj pas nënshkrimit të kontratës me Ministrinë e Bujqësisë, kompania e biznesmenit serb i ka tërhequr aksionet nga biznesi “LIP KS & IT”, i regjistruar pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci tha të enjten në emisionin Pressing të T7 se nuk ka qenë në dijeni për pronarët që fshihen prapa kompanisë të cilës ministria ia dha në shfrytëzim fabrikën për përpunimin e mbetjeve të kafshëve.

Lexo edhe:  Vushtrri: Arrestohet dhe lirohet 33-vjeçari, mori derivate e shërbime tjera dhe nuk i pagoi

“S’ta kom idenë se kush janë emrat e përveçëm”, pohoi ai gjatë një interviste me gazetarin Leonard Kërquki dhe tha se dosjen e plotë tashmë e ka deponuar në Prokurori.

Lidhjet e familjes me ish-kryetarin e Shtërpcës, vëllai i të cilit dyshohet se punonte për BIA-n

Afaristi Naser Maloku sigurisht se e ka idenë kush është Ragipoviq, biznesmeni me shtetësi serbe me të cilin aplikuan bashkë në tenderin e Ministrisë së Bujqësisë.

Maloku, një nga biznesmenët më të fuqishëm të Ferizajt, dyshohet për lidhje të tjera me Serbinë.

Ai është drejtor ekzekutiv i kompanisë “Fitorja” Sh.p.k., një biznesi të themeluar para më shumë se 30 vitesh nga babai i tij, Tahiri, e cila fillimisht nisi të tregtonte materiale ndërtimore për t’u zgjeruar më pas në ndërtim të komplekseve banesore e vilave, ndërtimit të rrugëve etj..

Bazuar në të dhënat e kompanisë “Fitorja” Sh.p.k. në uebsajtin e saj zyrtar, ajo ka ndërtuar një kompleks vilash në zonën e parkut kombëtar të “Sharrit” në Brezovicë, e cila iu nënshtrua një hetimi penal që rezultoi me mbi 15 të akuzuar për shkatërrim të ambientit dhe ndërtime paleje.

Pikërisht në këtë aferë dyshohet të jetë i përfshirë një familjar i Naser Malokut, si përfaqësues i kompanisë “Fitorja” Sh.p.k.

Siç shkroi portali Kallxo.com të mërkurën, familja Maloku dyshohet për lidhje dhe mitdhënie për ish-kryetarin e Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq.

Lidhjet e shkurtra përmes Nikolliqit, me të cilin dyshohet të kenë lidhje pjesëtarët e familjes Maloku, çojnë te Branisllav Nikoliq, vëllai i Bratisllavit, i cili dyshohet si agjent i BIA-s serbe.

Në një storje televizive të Radio Televizionit të Kosovës në vitin 2019 ishin publikuar disa pamje, ku Branisllav Nikoliqi provonte të gjente dëshmitarë që do të dëshmonin për krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lexo edhe:  Lëndohet rëndë punëtori i ‘Oni Diamond’ në Prizren, dërgohet me urgjencë në QKUK

Ai ishte emëruar këshilltar i presidentit Hashim Thaçi në vitin 2016, por ishte shkarkuar pas ri-publikimit të storjes që nxit dyshime për veprimtarinë e tij të dyshuar të spiunazhit me Serbinë.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës konfirmon se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të z. Branislav Nikolic në aktivitete të dyshimta, për të cilat është raportuar në media”, kishte thënë Presidenca në një deklaratë për media në ditën e shkarkimit të Nikolliqit.

Falimentimi i kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”

Një nga njollat më të mësha të së kaluarës biznesore të Naser Malokut është vendosja në rrezik e tregut të sigurimeve.

Për disa vite, Maloku si drejtor i “Fitorja” Sh.p.k. e menaxhoi kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re”. Atë e çoi në falimentim.

“Kosova e Re” falimentoi nën menaxhimin e kompanisë “Fitorja” Sh.p.k. për shkak të paaftësisë së kompanisë për t’i përmbushur kërkesat ligjore për kapital të përcaktuara me ligj.

Në vitin 2020, kompania kishte mungesë të kapitalit në shumë prej 6 milionë euro dhe mungesë për solvencë 4.50 milionë euro, duke e rrezikur shembjen e sistemit të sigurimeve të cilin e rregullon Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Për shkak të këtyre problemeve, BQK-ja e mbajti kompaninë “Kosova e Re” nën administrim të përkohshëm për 11 muaj në periudhën 2020-2021.

Pas përfundimit të fazës së administrimit, në shtator të vitit 2021, BQK-ja ia revokoi licencën kompanisë në pronësi të “Fitorja” Sh.p.k., duke e vulosur falimentimin e saj.

Para se Bordi i BQK-së të vendoste për revokimin e licencës për “Kosovën e Re”, Banka Qendrore i kishte dhënë afat edhe dy muaj kësaj kompanie për përmbushjen e kërkesave ligjore për kapital dhe solvencë, po siguruesi nuk kishte bërë asnjë hap në këtë drejtim.

Lexo edhe:  Ky është polici që u plagos nga hajnat që plaçkitën argjendarinë “Diakos” në Suharekë

Naser Maloku e kishte kundërshtuar vendimin e BQK-së. Kishte nisur një betejë në gjyq.

Por, padia e Malokut – si përfaqësues i siguruesit “Kosova e Re” – ishte rrëzuar nga të gjitha shkallët e gjykatave vendore, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese.

Kushtetuesja, në një aktgjykim të nxjerrë më 2023, e kishte hedhur poshtë kërkesën e “Kosovës së Re” kundër aktgjykimeve të Apelit dhe Supremes lidhur me këtë çështje.