Mbretëria e Bashkuar i paralajmëron qytetarët e saj: Mos shkoni në veri, tensionet janë shtuar
Mbretëria e Bashkuar i ka këshilluar qytetarët e saj që të mos udhëtojnë në veri të Kosovës, përveç nëse e kanë të domosdoshme.
Pasi paralajmëron të mos udhëtohet në vende si Rusia, Irani e të tjera, kryesisht për shkak të konflikteve politike dhe shqetësimeve për sigurinë, Zyra e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar (FCDO) e ka futur veriun e Kosovës në pjesën tjetër të listës së vendeve dhe destinacioneve ku nuk rekomandon të udhëtohet nëse nuk është e domosdoshme.
FCDO këshillon që të mos udhëtohet, përveçse nëse është e domosdoshme, “në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit dhe në zonat e Mitrovicës në veri të lumit Ibër”.
“Kjo për shkak të incidenteve të dhunshme dhe tensioneve të shtuara në këto zona”, thuhet në paralajmërimin e publikuar në web-faqen e qeverisë britanike.
Ai është aktual dhe është përditësuar së fundmi më 29 gusht 2024, shkruan Express.
Në një seksion të veçantë, FCDO u jep këshilla britanikëve për sigurinë në pjesë të Kosovës.
“Që nga dhjetori 2022 ka pasur përplasje të dhunshme dhe incidente me granata dhe shpërthime automjetesh. Jini të kujdesshëm dhe shmangni tubimet publike, veçanërisht rreth zonës së Urës së Austerlitzit (Ura kryesore e Ibrit) që e ndan Mitrovicën veriore dhe jugore”, thuhet në web-faqen e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Situata politike në Kosovë përshkruhet si “në përgjithësi stabile”, por në të njëjtën fjali Zyra e Jashtme britanike përmend se “ekziston rreziku i protestave në komunat veriore të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit dhe në zonat e Mitrovicës në veri të lumit Ibër” dhe se ato “kanë potencialin të bëhen të dhunshme”.
“Ju duhet t’i shmangni tubimet publike, mitingjet politike dhe protestat, kontrolloni mediat lokale, konsultohuni me recepsionet e hoteleve për këshilla, regjistrohuni për të marrë njoftime me email kur kjo këshillë përditësohet”, i këshillon FCDO, britanikët.
Ata këshillohen edhe që t’i shmangin udhëtimet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas përmes pikave kufitare 1 dhe 31.
“Shmangni udhëtimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes Portës 1 (Jarinjë, Leposaviq) ose Portës 31 (Zubin Potok) pasi që ato ndodhen në zonat e Kosovës ku FCDO këshillon kundër të gjitha udhëtimeve, përveç atyre të domosdoshme. Ju duhet të gjeni rrugë alternative për udhëtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.