Mbi 700 minatorë të Trepçës të vendosur, vazhdojnë grevën edhe sot

Mbi 700 minatorë po vazhdojnë grevën për të tretën ditë me radhë. Në dy ditët e para, disa prej tyre u është përkeqësuar gjendja dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Kryesindikalisti Ibrahim Jonuzi ka thënë se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave: Ekzekutimi i pagave me kohë, shkarkimi i menaxhmentit dhe sigurimi shëndetësor dhe përmirësimi i kushteve të punës. Ndërkohë, Menaxhmenti i Trepçës ka dalë dje me një reagim ku ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të grevës, duke e quajtur edhe jo ligjore. Nga Qeveria kanë heshtur për këtë çështje.

Greva e nisur para tre ditësh nga minatorët, po vazhdon edhe sot në minierën e Stantërgut. Kërkesat e minatorëve janë realizimi i pagës mujore me kohë (nga data 6-10), shkarkimi i Manaxhmentit dhe sigurimi shëndetësor dhe përmirësimi i kushteve të punës. Minatorët janë ankuar disa herë për vonesë në paga, madje pikërisht për këtë arsye një grevë ishte mbajtur edhe në korrik të këtij viti.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, e ka konfirmuar për Gazetën Express se greva po vazhdon dhe se do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Ai ka thënë se në grevë janë rreth 710 minatorë.

Disa prej tyre u është përkeqësuar gjendja shëndetësore në dy ditët e para të grevës.

“Greva po vazhdon dhe do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave tona. Sot është dita e tretë e grevës. Në grevë janë 710 minatorë. Në dy ditët e para të grevës, në total ndihmë mjekësore kanë kërkuar rreth 50 minatorë. Sot nuk ka ndonjë rast të rëndë, ka që kanë nevojë për ndihmë mjekësore, por mjekët i kemi këtu”, ka thënë Jonuzi për Express.

Lexo edhe:  Kishte kryer vrasje, shqiptari kapet pas 24 viteve

Menaxhmenti dhe Bordi Mbikëqyrës i Ndërmarrjes Trepça ka dalë dje me një reagim, ku ka kërkuar ndërprerjen e grevës menjëherë, duke thënë se është joligjore dhe se s’ka “arsye reale për të rrezikuar me shume sigurinë, shëndetin dhe jetën e minatorëve”.

Në reagimin e menaxhmentit, thuhet se minatorët rregullisht për çdo muaj i kanë marrë pagat e tyre të plota.

“Përkundër vështirësive operative dhe rënies së çmimit të metaleve në bursë, minatorët dhe punëtorët e ndërmarrjes Trepça Sh.A. të mbështetur nga Qeveria e Republikë së Kosovë, rregullisht për çdo muaj i kanë marrë pagat e tyre të plota.

Gjithashtu, mund te informojmë opinioni e gjerë që për herë të parë pas dy dekadave, minatorëve të ndërmarrjes Trepça Sh.A. u janë rritur pagat mbi nivelin e pagave të minatorëve të minierave në rajon (Shqipëri, Maqedonia e Veriut). Poashtu është ngritë edhe shtesa për shujtën ditore për çdo minator në ndërmarrjen Trepça Sh.A. Ketë menaxhmenti e ka bere vetëm me qëllim që të vlerësojë dhe motivoj minatorët e ndërmarrjes”, thuhet në reagimin e menaxhmentit.

Qeveria e Kosovës ka ndarë para tri ditësh 1 milion e 675 mijë e 150 mijë euro për “Trepçën”, derisa për grevën e minatorëve s’e ka thënë ende asnjë fjalë. Kërkesa e këtyre mjeteve është bërë me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë.

“Aprovohet kërkesa e Ministrisë së Ekonomisë për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 1,675,150 € (një milion e gjashtëqindeshtatëdhjetepesë mijë e njëqindepesëdhjetë euro) derinén 25% të ndarjes së ndikuar negativisht për vitin 2023, për N. P. TREPCA Sh. A.”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Para një muaji, Qeveria e ka shkarkuar Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes “Trepça”. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar disa nga arsyet që kanë çuar në shkarkimin e këtij bordi.

Lexo edhe:  Minatorët e Trepçës edhe gjatë Ramazanit nuk e ndalin punën në minierë, ankohen për kushte të rënda dhe rrezikshmëri

“Bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes ‘Trepça’ është emëruar më vendim të Qeverisë më 2 shkurt të vitit 2022, më 20 shtat 2023 kanë dhënë dorëheqje 2 anëtarë, pra kanë mbetur vetëm 3 anëtarë, që do të thotë se Bordi është jofunskional. Në kuadër të funksionit të vet monitorues, Njësia për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike ka gjetur se Bordi mbikëqyrës, përkatësisht Komisioni i auditimit i ndërmarrjes ka kryer këto veprime ose mosveprime: nuk ka miratuar strategjinë zhvillimore të ndërmarrjes, nuk ka miratuar rregullore për kompensimin e punëtorëve në përputhje me realizimin e planit të prodhimit dhe të të hyrave, që gjë nevojitet për të nxitur punëtorët me shpërblime për tejkalim të planit dhe për të shmangur detyrimet e papërballueshme për pagat në rastet kur plani i prodhimit nuk realizon të harta e nevojshme”, kishte deklaruar Rizvanolli.

Ndryshe, pagat e punëtorëve në “Trepçë” sillen nga 600 deri në 800 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale. Por, asnjë prej punëtorëve nuk ka sigurim shëndetësor apo jetësor.

“Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje. Kjo ndërmarrje pritet që t’i kalojë nën pronësi Fondit Sovran, që sipas Qeverisë së Kosovës, do të ketë përgjegjësinë ekskluzive për të investuar në rritjen e vlerës së tyre.