Martesa e dy grave shqiptare mes vete ka shkaktuar reagimin e komuniteteve fetare

Komunitetet fetare në Shqipëri kanë reaguar me shqetësim pas publikimit të imazheve nga një ceremoni martesore mes dy vajzave kryer në tarracën e Bashkisë së Tiranës.

E para ishte Kisha katolike që përmes një deklaratë të shpërndarë për mediat, shprehej se martesa mes personave të së njëjtës gjini është e papranueshme dhe kategorikisht e ndaluar, sipas doktrinës së saj.

Kisha Katolike më tej sqaronte publikun se kleriku që e ka lidhur këtë martesë nuk ka asnjë lidhje me këtë institucion fetar.

Një reagim të ngjashëm ku shpreh shqetësimin për precedentin e krijuar, e ka bërë edhe Kisha Ortodokse e Shqipërisë, duke theksuar se “asnjë kulturë, fe apo sistem ligjesh nuk e ka institucionalizuar bashkëjetesën homoseksuale si martesë”.

“Në lidhje me martesën e së njëjtës gjini, kryer në Bashkinë e Tiranës, ditën e djeshme, dt. 19 maj 2024, siç jemi shprehur edhe më parë, si në deklaratën e janarit 2024, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë mban të njëjtin qëndrim: Është më se e njohur se përjetësimi i njerëzimit ka qenë i bazuar në ekzistencën e dy gjinive dhe bashkimin e tyre. E panatyrshmja nuk bëhet e natyrshme me dekrete ligjore. Përkundrazi, një ligj i tillë fyen krijimin”, thuhet në deklaratë.

Më tej Kisha Ortodokse nënvizon se një martesë homoseksuale “nuk është përparim shoqëror, por një konflikt me rendin natyror, e tatëpjetë”.

“Kisha është e detyruar të artikulojë qartë konceptin dhe vlerën e martesës, rëndësinë e familjes dhe të lindjes së fëmijëve në përputhje me tekstet e saj të shenjta dhe traditën e saj shekullore (siç u deklarua në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse në Kretë në vitin 2016).”

Edhe Myftinia e Tiranës shprehet në një deklaratë për mediat se e ka përcjellë me shqetësim aktin e pabazuar ligjërisht të një “martese” mes dy individësh të së njëjtës gjini që u mbajt në Bashkinë e Tiranës.

Lexo edhe:  Danimarkës i rekomandohet anulimi i marrëveshjes me Kosovën për të burgosurit

Myftinia e Tiranës i bën thirrje institucioneve të jenë të kujdesshëm ndaj ngjarjeve të tilla duke mos u profilizuar në drejtimin e kundërt me pjesën dërrmuese të votuesve dhe taksapaguesve shqiptarë.

“Me të njëjtin intensitet, Myftinia Tiranë, përcjell edhe shqetësimin e mijëra besimtarëve dhe qytetarëve të Tiranës, të cilët ndjehen të irrituar para një akti të tillë i cili nuk përfaqëson as botëkuptimin, as fenë dhe as traditën e shqiptarëve. Zhvillimi i një procedure të tillë në kundërshtim me ligjin shqiptar dhe Kodin e Familjes së Republikës së Shqipërisë është një veprim i rrezikshëm për të legalizuar dhe normalizuar një proces që tenton të imponohet pa dëshirë përmes shkatërrimit të familjes dhe kulturës tonë kombëtare. Myftinia Tiranë, mbetet e angazhuar tërësisht dhe fuqimisht në mbështetjen dhe promovimin e vlerave të familjes si thelbi i shoqërive të krijuara nga Zoti i Lartësuar për mbarëvajtjen e njerëzimit. Po ashtu mbetet e angazhuar në promovimin e çdo akti i cili synon lartësimin moral të ndërgjegjes tonë kombëtare si dhe çdo sipërmarrjeje që çon drejt mirëqenies tonë publike materiale apo shpirtërore qoftë ajo.”

Për ceremoninë e martesës homoseksuale në Bashkinë e Tiranës ka reaguar të dielën edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili akuzoi qeverinë dhe diplomatët e akredituar në Tiranë se po kthejnë rininë shqiptare në homoseksuale, shkruan A2Cnn.