Maqedonci pas angazhimit të FSK në operacionin në Ujman: Të nxirret trupi i mërgimtarit, ti lehtësohet dhimbja familjes

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në bashkërendim me KFOR-in, kanë nisur operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës, pasi dy ditë më parë nga ura në këtë liqe dyshohet se një person kërceu dhe nuk doli më nga uji.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se FSK-ja u angazhua në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të një mërgimtari, që kërceu nga ura në Liqenin e Ujmanit.

“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK-së kanë filluar operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe t’i lehtësohet dhimbja familjes”, shkroi Maqedonci në Facebook.

Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Një 33-vjeçar dyshohet se kërceu nga ura në Ujman pasditen e së dielës. Ujmani gjendet në Zubin Potok, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Operacionet e kërkim-shpëtimit deri më tani i kanë realizuar pjesëtarët e Policës së Kosovës së bashku me ata të Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim. Ndërkaq, pas këtij rasti Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos kërcejnë nga ura në Ujman.

Lexo edhe:  Skena të turpshme: Goditet me shuplakë nga trajneri i Kosovës tetëvjeçarja kosovare që humbi kundër rivales serbe në taekwondo

Ndryshe, FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të bëra. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028.