Manipulim me prova në Policinë e Mitrovicës, IPK-ja arreston katër zyrtarë
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përkatësisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve, kanë arrestuar sot katër zyrtarë policorë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Manipulim me prova”.
Në njoftimin e IPK-së thuhet se, bazuar në hetimet fillestare, ‘dyshohet se më 13 shtator 2025, zyrtarët policorë nuk kanë proceduar me rast penal në një incident të klasifikuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, si dhe kanë fshehur dhe manipuluar me provat e gjetura në vendin e ngjarjes’.
Me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Si pjesë e procedurave administrative, IPK ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve të dyshuar, të cilët ishin me detyrë në Stacionin Policor në Mitrovicën e Jugut, drejtuar Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë e Jugut.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.