Malisheva e rrezikuar nga rriqrat, i kërkon ndihmë MSH-së por ministri Vitia nuk përgjigjet

Komuna e Malishevës është njëra ndër zonat më të rrezikuara nga pickimi i rriqrave që shkaktojnë ethet hemorragjike.
E për këtë arsye qysh nga muaji maj i këtij viti ka filluar edhe dezinsektimin në disa zona.

Që t’i mbulojë të gjitha zonat, Komuna e Malishevës nuk ka kapacitete.

Kështu po thotë për “Front Online” drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Hajdin Berisha.

Ai ka bërë të ditur se kanë kërkuar ndihmë edhe tek ministri Arben Vitia, por nuk kanë marrë përgjigje.

Disa zona që kanë mbetur pa dezisektim janë obligim i Qeverisë e Ministrisë së Bujqësisë, thotë Berisha.

“Nuk ka mjete Komuna më tepër se sa që ka shpenzuar. I kemi bërë ftesë ministrit Vitia me thirrë Këshillin Ndërministror për Parandalimin e Etheve Hemorragjike, s’kemi marr përgjigje, anipse është përgjegjësi e nivelit qendror e jo vetëm e Komunës”.

Berisha njoftoi se rreth 2 mijë e 500 hektarë janë dezinsektuar në komunën e Malishevës.

“Dezinsektimi ka nisur me kohë në Malishevë, janë përfshirë diku rreth 2500 hektarë dhe janë përfunduar, kaq ka qenë mundësia e Komunës, pjesën tjetër e ka për obligim Qeveria-Ministria e Bujqësisë e cila as që është marrë me këtë çështje”, shprehet Berisha për FrontOnline.

Ai tha se muaji qershor dhe korrik janë muajt më të rrezikshëm për t’u pickuar nga rriqrat.

Front Online ka dërguar pyetje edhe tek Ministria e Bujqësisë, e cila udhëhiqet nga ministri Faton Peci.

Nga kjo Ministri kanë deklaruar se janë në finalizim të procedurave tenderuese për projektin që lidhet me dizinsektim.

“Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ju njoftojmë se jemi në finalizim të procedurave tenderuese për projektin “Dezinsektimi i hapësirave të ekspozuara për luftimin dhe parandalimin e Etheve hemoraxhike Krime Kongo”, projekt ky që ka për qëllim luftimin e shkaktarit të sëmundjes Krime-Kongo të shkaktuara nga rriqrat kryesisht në Komunën e Malishevës”.

Lexo edhe:  Ngritet aktakuzë ndaj 11 personave për krim të organizuar

Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë nuk ka kthyer përgjigje në interesimin e portalin për të marr një qëndrim nga ta.