“Ma këpute shpirtin, Adushi i nanës” – reagimi prekës i nënës së 21-vjeçarit mitrovicas që humbi jetën në aksidentin tragjik

Dy të rinj nga Mitrovica, Adrian Avdyli dhe Fidan Peci, humbën jetën dje si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku në Itali.

Vdekja e tyre, sidomos në një moshë kaq të re, ka tronditur thellë familjarët, miqtë dhe gjithë opinionin. Dhimbja e humbjes ka lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat e prindërve dhe të afërmve të tyre.

Nëna e 21-vjeçarit Adrian Avdyli, Merita, ka reaguar me një postim tejet prekës në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e të birit.

Postimi i plotë:

“Biri ynë i dashur Adrian, sot na u shemb bota dhe na u nda zemra në mijëra copë. Në një çast të vetëm, në atë aksident të rëndë trafiku në Itali, ti u largove nga ne dhe more me vete gëzimin, dritën dhe frymën e shtëpisë sonë.

Si është e mundur të ndahem nga djali që e rrita me duart e mia, që e mbajta në bark, që e rrita me sakrifica, me lutje e me dashuri të pafund? Zemra e nënës sot qan me zë, sepse humbi birin e saj, shpirtin e saj.

Baba Bashkimi është i thyer thellë, sepse humbi krenarinë e jetës së tij, djalin që e donte më shumë se veten. Vëllai Nuari ka mbetur pa gjysmën e zemrës, pa shokun dhe mbështetjen e tij.

Shtëpia jonë sot është në heshtje; çdo cep flet për ty, çdo kujtim djeg, por njëkohësisht na mban gjallë me dashurinë që na fale.

Adrian, shpirti ynë, pse kaq herët, pse kaq papritur? Do të jetosh përjetë në zemrat tona, në çdo lot, në çdo lutje, në çdo frymëmarrje tonën. Zoti të mori pranë Tij, por për ne do të mbetesh gjithmonë djali ynë, gjaku ynë, krenaria jonë.

Lexo edhe:  Këta janë tre të dyshuarit për shitblerje të narkotikëve në Gjilan, dy prej tyre ende në arrati

Pushofsh në paqen e përjetshme, engjëlli ynë, derisa të takohemi sërish.