Lokalizohen zjarret në Parkun Kombëtar të Sharrit
Në Parkun Kombëtar të Sharrit janë përhapur vatrat e zjarrit.
Drejtori i këtij parku, Bashkim Kafexholli, tha të premten se 80 për qind e zjarrit është shuar ditën e enjte, pas reshjeve të shiut në këtë zonë.
“Ekipet tona dhe zjarrfikësit e komunës së Prizrenit, sot gjenden në terren dhe janë duke lokalizuar vatrat e vogla të zjarrit që kanë mbetur”-tha ai.
Përgjegjësit e parkut, më 8 gusht, kanë kërkuar ndihmën e forcave paqeruajtëse në Kosovë KFOR, Forcën e Sigurisë se Kosovës (FSK) dhe institucioneve të tjera për intervenim nga ajri me helikopterë.
Kujtojmë se parku Kombëtar i Sharrit, i cili menaxhohet në bazë të Ligjit për Parkun Kombëtar Sharri, dhe të disa ligjeve mbështetëse është përfshirë nga zjarri më 5 gusht.