Lojtari i Kombëtares së Kosovës dhuron 16 mijë euro për bamirësi
Një lojtar i Kombëtares së Kosovës ka dhuruar 16 mijë euro për qëllime bamirësie, duke zgjedhur të mbetet anonim.
Lajmi është bërë i ditur nga Sefer Demiri, i cili udhëheq shoqatën humanitare “Zarfi i Mërgimtarit”.
Sipas tij, donacioni do të shfrytëzohet për të ndihmuar familjet në nevojë, në kuadër të aktiviteteve humanitare që kjo shoqatë zhvillon vazhdimisht, transmeton Zeri.info.
“Një lojtar i Kombëtares së Kosovës dhuron 16 mijë euro zekat për shoqatën tonë! Zoti e shpërbleftë dhe ia shtoftë sukseset”, njofton Demiri.
Ky veprim vlerësohet si një gjest solidariteti dhe ndihme konkrete, që dëshmon për përkushtimin e sportistëve kosovarë ndaj kauzave humanitare dhe mbështetjes së shtresave më të ndjeshme të shoqërisë.

