Lirohet “papiqulo”, shoferi i veturës së famshme në Prishtinë
34 vjeçari R.H., që u bë i njohur për shkak të drejtimit të veturës së tij të llojit “BMW”,ngjyrë e gjelbër tashmë është liruar nga paraburgimi.
R.H., është bërë sensacion në rrjetet sociale pas ankesave të shumta në Prishtinë për muzikën me zë tejet të lartë derisa drejtonte makinën.
Edhe pse Prokuroria kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të, në drejtim të veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka refuzuar si të pabazë.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë është thënë se në lidhje me rastin, prokurori ka lëshuar urdhëresë për sekuestrimin e veturës.
“Referuar pyetjes së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, fillimisht është ndaluar i dyshuari, për shkak të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, sipas KPRK-së, si dhe ndaj të njëjtit është kërkuar masa e paraburgimit, pranë Gjykatës kompetente.Po ashtu, lidhur me këtë çështje Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për sekuestrimin e veturës”, tha zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj.
Por paraburgim për të ishte kërkuar pikërisht për një vozitje aspak të rregullt që ky i fundit kishte bërë përgjatë rrugës në Podujevë.
Ai shihet teksa bën një tejkalim tejet të rrezikshëm, duke vënë në rrezik veten dhe shumë pjesëmarrës të tjerë në trafik.
Në lidhje me këtë nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar për lajmi.net se kërkesa e prokurorisë është refuzuar si e pabazuar dhe se R.H., është liruar nga ndalimi.
“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.H, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 paragrafi 1 i KPRK-së, me datë 01.04.2023 gjyqtarja e procedurës paraprake të kësaj gjykate, ka marr Aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e paraqitur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, si e pabazuar, andaj i pandehuri R.H është liruar menjëherë nga ndalimi”,u tha në përgjigje.
Ndaj 34 vjeçarit ishin bërë video-publikime të shumta të bashkëngjitura me ankesa të vazhdueshme të qytetarëve, për lëvizje të rrezikshme nëpër rrugët e vendit.