Lirohen nga akuza katër të akuzuarit për shpëlarje parash
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Agron Bajçinca, Arton Tahiraj, Visar Mërlaku dhe Adem Azemi, lidhur me akuzën për shpëlarje parash.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarve në këtë rast, u shpall të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësja Çerkini tha se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale sipas aktakuzës dhe se trupi gjykues ka vlerësuar se nga provat që janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor, nuk është arritur që të vërtetohet se prej nga kanë rrjedhur paratë e as dijeninë e të akuzuarve se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal.
Sipas saj, prova e vetme e cila është administruar dhe siguruar përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, ka vërtetuar se personat që kanë dërguar para nuk kanë të kaluar kriminale e as nuk zhvillohet ndonjë procedurë penale ndaj tyre.
Tutje, gjykatësja Çerkini tha se gjykata as nga ekspertiza e urdhëruar nuk ka arritur të konstatojë qëllimin e destinacionit të parave, pasi që nuk ka pasur ndonjë përshkrim të qëllimit të dërgesës së parave duke mos gjetur kështu ndonjë provë të saktë qe ndërlidhet me vërtetimin e këtij fakti.
Të gjitha shpenzimet procedurale bien në barrë të mjeteve buxhetore të kësaj gjykate dhe palët e pakënaqura kanë të drejtë ankesë në afatin e përcaktuar ligjor.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 16 gusht 2021, i pandehuri Agron Bajçinca, thuhet se në periudhën kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, ka autorizuar personat e ndryshëm për tërheqjen mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në vendet të ndryshme brenda Kosovës.
E gjithë kjo, thuhet se u bë duke i paguar ata në emër të shërbimeve në shumën prej 20 deri në 30 euro, të cilat shuma ishin tërhequr në emër të tij në vlerë prej 13 mijë e 644 euro e 50 centë, 60 mijë e 259 euro e 82 centë, 20 mijë e 714 euro e 98 centë, 26 mijë e 951 euro e 23 centë, 17 mijë euro, 6 mijë e 323 euro e 93 centë, 128 mijë e 717 euro e 11 centë, 21 mijë e 706 euro e 88 centë, 17 mijë e 977 euro e 27 centë, 67 mijë e 833 euro e 25 centë, 12 mijë e 129 euro, 45 mijë e 755 euro e 38 centë dhe 21 mijë e 372 euro e 15 centë, në shumë të përgjithshme 558 mijë e 375 euro e 77 centë, të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Me këtë, i pandehuri Agron Bajçinca, akuzohej se ka kryer veprën penale “Tregtia e ndaluar”
Tutje, thuhet se i njëjti në kohën dhe vendin si në përshkrimin faktik në dispozitivin e parë të aktakuzës, duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga personat e panjohur nga Republika e Turqisë dhe Republika Dominikane, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tij, në atë mënyrë që fillimisht i ka tërhequr mjetet monetare në shumë 97 mijë e 990 euro e 47 centë, e më pas për t’i realizuar qëllimet e tij, ka autorizuar edhe persona të ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare, në emër të tij, përmes institucioneve financiare “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, në shumë të përgjithshme prej 558 mijë e 375 euro e 77 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave”.
Sipas aktit akuzues, i pandehuri Visar Mërlaku akuzohej se në periudhën kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka autorizuar personat e ndryshëm për tërheqjen e mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, si dhe i ka paguar ata në emër të shërbimeve në shumë prej 20 deri 30 euro, të cilat shuma ishin tërhequr në emër të tij dhe atë 49 mijë e 37 euro e 40 centë, 18 mijë e 596 euro e 2 centë dhe 65 mijë e 715 euro e 37 centë, në shumë të përgjithshme 123 mijë e 348 euro e 79 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Me këto veprime, i pandehuri Visar Mërlaku akuzohej se ka kryer veprën penale “Tregtia e ndaluar”.
Tutje, aktakuza thotë se i njëjti në kohën dhe vendin si përshkrimi faktik më lartë, duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga personat e panjohur nga Republika e Turqisë dhe Republika Dominikane me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tij.
Thuhet se këtë e bëri në atë mënyrë që i ka tërhequr mjetet monetare në shumë prej 49 mijë e 37 euro e 40 centë, e më pas ka autorizuar edhe persona të ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme monetare në emër të tij përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, në shumë të përgjithshme prej 123 mijë e 348 euro e 79 centë, të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave”.
Aktakuza pretendonte se i akuzuari Adem Azemi në periudhën kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka autorizuar personat e ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë.
Tutje, thuhet se këtë e bëri duke i paguar ata në emër të shërbimeve në shumën prej 20 deri 30 euro, të cilat shuma ishin tërhequr në emër të tij dhe atë 6 mijë e 972 euro e 36 centë, 6 mijë e 964 euro e 70 centë, 13 mijë e 967 euro e 79 centë, 13 mijë e 967 euro e 79 centë, 14 mijë e 41 euro e 9 centë dhe 23 mijë e 938 euro e 50 centë, në shumën e përgjithshme prej 65 mijë e 884 euro e 44 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Me këto veprime, i akuzuari Adem Azemi, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Tregtia e ndaluar”.
Tutje, thuhet në aktakuzë, se i njëjti duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga Republika e Turqisë dhe Republika Domenikane, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tij, në atë mënyrë që ka angazhuar persona të ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare në emër të tij, përmes institucioneve financiare “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, duke pranuar dhe maskuar shumën totale prej 65 mijë e 884 euro e 44 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Me këto veprime, ngarkohej për kryerjen e veprës penale “Shpëlarja e parave”.
Ndërkaq, sipas aktakuzës, i pandehuri Arton Tahiraj, akuzohej se në periudhën kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka autorizuar personat e ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, si dhe duke i paguar në emër të shërbimeve në shumën prej 20 deri 30 euro, të cilat shuma ishin tërhequr në emër të tij, 47 mijë e 594 euro, 6 mijë e 832 euro e 25 centë, 6 mijë e 371 euro e 73 centë, 6 mijë e 874 euro e 76 centë, si dhe 27 mijë e 517 euro e 22 centë, përkatësisht në shumën e përgjithshme totale 95 mijë e 189 euro e 86 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Me këtë, i akuzuari Arton Tahiraj, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Tregti e ndaluar”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti, duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga Republika e Turqisë dhe Republika Domenikane, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tij.
Në aktakuzë thuhet se Arton Tahiraj ka angazhuar persona të ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare në emër të tij, përmes institucioneve financiare “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, duke pranuar dhe maskuar shumën totale prej 95 mijë e 189 euro e 86 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Me këtë, i njëjti akuzohej se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave”. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.