LDK-ja s’ia harron “hajvanatin” dhe “mbytjen” Vetëvendosjes – Ia hedh poshtë ftesën

“Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim”.

Kjo ishte përgjigja që lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku ia dha atij të Vetëvendosjes, Albin Kurtit pas ftesës që ky i fundit ia bëri, raporton Periskopi.

Abdixhiku në një postim në Facebook tha se vendosi ta refuzojë takimin me të për shkak gjuhës së kryeministrit në detyrë para dhe gjatë fushatës zgjedhore drejtuar LDK-së.

“Për muaj, e në të vërtetë për vite të tëra – para, gjatë dhe pas fushatës – LDK, anëtarët tanë dhe votuesit tanë, kanë qenë subjekt i një gjuhe dhe mendësie që ofendon, përçan, etiketon dhe sulmon. Një mendësi që ka goditur thelbin njerëzor të politikës – respektin dhe dinjitetin”, shkroi Abdixhiku.

Vetëvendosje si parti e parë, i duhen të paktën 61 deputetë për të formuar Qeverinë.

Mosbashkëpunimi me ndonjë parti opozitare, nuk ia mundëson që të arrij numrin që i nevojitet.

Kryesisht partitë e mëdhaja shqiptare e kanë refuzuar kategorik qysh në fillim një koalicion të mundshëm me VV-në.

Megjithatë, kjo parti pak ditë pas përpjekjeve të Kurtit për t’i bindur partitë e pakicave joserbe për ta votuar qeverinë e tij, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për herë të parë tha të martën se nuk beson se formimi i qeverisë së re është i mundur pa përfshirjen e partive opozitare në koalicionin qeverisës.

Në anën tjetër, PDK-ja dhe AAK-ja kanë shprehur vullnetin për të formuar një qeveri partitë opozitare së bashku, por Abdixhiku ka thënë se mund të bëjë koalicion vetëm nëse i ofrohet pozita e kryeministrit.

Lexo edhe:  Arrestohet në Prishtinë i kërkuari me urdhër arrest ndërkombëtar

Ndryshe, Presidentja, Vjosa Osmani ka caktuar datën e seancës konstituive të Kuvendit më 15 prill.

Caktimi i seancës konstituive shënon hapin e parë drejt formimit të institucioneve të reja, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 mars./Periskopi