Laura e jashtëzakonshme, mposhtë dy japoneze për të artën në Masters
Xhudistja Laura Fazliu ka dëshmuar se e pret e ardhme e ndritur. Ajo të shtunën fitoi medaljen e artë në Mastersin në Budapest. Ishte bartësja e gjashtë në kategorinë deri 63 kilogramë, por rreshtoi pesë fitore për të zënë vend në shkallën më të lartë të podiumit.
Mastersi është garë ku të drejtë pjesëmarrjeje kanë vetëm xhudistët më të mirë nëpër kategori. Me të artën, Laura ka fituar edhe 1800 pikë në ranglistën botërore.
Paraqitja e 22-vjeçares ishte impresive, ndërsa suksesin të jashtëzakonshëm e bënë fakti që mposhti dy japoneze në rrugën deri tek e arta.
Fillimisht Laura e mposhti xhudisten nga Rumania, Florentina Ivanescu. Ndaj saj realizoi hedhje të bukur e më pas e mbajti në mbërthim për fitore me Ippon. Izraeliten Kerem Primo e mposhti me uazari në kohën shtesë. Në çerekfinale e kaloi çeken Renata Zachova, duke realizuar Ippon të shpejtë me mbërthim.
Gjysmëfinalja me japonezen Megumi Horikawa ishte e fortë. Dallimi ishte një uazari që e realizoi Laura. Horikawa vjet e fitoi titullin e kampionit të botës në kategorinë deri 63 kg. Ka edhe shumë suksese tjera.
Në finale, Laura e kishte përballë japonezen tjetër, Miku Takaichi. Ajo ka shumë medalje botërore gjatë karrierës. Prej Takaichit, Laura kishte humbur në dhjetor në finale të Mastersit për vitin 2022. Por të shtunën dominoi plotësisht dhe realizoi dy hedhje të bukura për uazari. Laura nuk u rrezikua asnjëherë.
Për Laurën është medalja e parë e artë në garat e mëdha të xhudos. Ajo tashmë vlerësohet me potencial të jashtëzakonshëm për medalje olimpike në “Parisi 2024”. Puna me trajnerin Driton Kuka është garanci edhe për shumë e shumë suksese të tjera në xhudo.