Largohet nga Kosova, infermieri tregon arsyet: Në vendin tim qeni është i siguruar, unë jo

Një infermier nga Kosova, i cili aktualisht punon jashtë vendit, ka ndarë arsyet e largimit nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).

Enlirat Duraku, infermier me përvojë 22-vjeçare, ka shpjeguar se vendimi për t’u larguar nga Kosova ishte i domosdoshëm për shkak të kushteve të papranueshme të punës dhe mungesës së vlerësimit profesional. Ai përmend një sërë problemesh me sistemin shëndetësor në Kosovë, duke përfshirë:

Pagën e pamjaftueshme, e cila nuk mbulonte as shpenzimet mujore.
Pagesat e ulëta për ndërrimet e natës, të cilat i quan të turpshme.
Diskriminimin në Ligjin e Pagave, duke lënë infermierët jashtë trajtimit të drejtë financiar.
Injorimin dhe përjashtimin e infermierëve nga strukturat udhëheqëse dhe proceset vendimmarrëse.
Trajtimin si “hamall dhe skllevër”, siç shprehet ai, nga institucionet ekzekutive, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë.
Duraku gjithashtu ka kritikuar ashpër ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe ekipin e tij udhëheqës në ShSKUK dhe QKUK, duke i akuzuar për krijimin e një ambienti toksik dhe hakmarrës pune. Sipas tij, ky ambient nuk lejon zhvillimin profesional as për mjekët dhe as për infermierët.

“Kosova e ka traditën, kulturën dhe historinë, por mua më largoi Arben Vitia dhe grupi i tij i miqve”, shkruan Duraku në mesazhin e tij.

Aktualisht, ai është i angazhuar si infermier në një vend të Bashkimit Evropian, ku thotë se gëzon një pagë dinjitoze, mundësi për zhvillim dhe vlerësim profesional që, sipas tij, i mungonin në Kosovë.

Duraku deklaron se është i gatshëm të rikthehet në Kosovë dhe të ofrojë shërbimet e tij, por vetëm nëse largohet ekipi aktual udhëheqës i sektorit të shëndetësisë. Ai shton se gjithmonë do të ketë mundësi për të ushtruar profesionin e tij në vendet e BE-së, nëse kushtet në Kosovë mbeten të pandryshuara.

Lexo edhe:  Gresa: E kam shkatërruar Drilonin