Lajm i mirë për bizneset- Gjykata Komerciale nxjerr edhe një vendim kundër ZRrE

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ka njoftuar për një aktgjykim të dytë brenda dy ditësh nga Gjykata Komerciale, ku bëhet e ditur për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për daljen në tregun e lirë të energjisë.

OEK përmes një njoftimi ka treguar se ky zhvillim tregon qartë se bizneset kanë pasur të drejtë kur kanë ngritur zërin ndaj padrejtësive të ZRrE-së.

“Oda Ekonomike e Kosovës inkurajon të gjitha bizneset që ndihen të cenuara nga ky vendim që të ndjekin rrugën ligjore për të mbrojtur interesat e tyre. Çdokush që ka nevojë për asistencë, brenda Odës është themeluar një ekip juristësh që do të ndihmojë në draftimin e akteve kundër njoftimit të ZRrE-së”, thuhet në njoftim.

OEK ka bërë thirrje që ZRrE të pezullojnë njoftimin për daljen në tregun e lirë.

“U bëjmë thirrje ZRrE-së që ta pezullojë njoftimin për daljen në tregun e lirë, përpara se të krijohen pasoja edhe më të mëdha për biznesin, ekonominë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë, se dje Gjykata Komerciale ka marrë vendim për pezullim të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për treg të hapur deri në një vendim të gjykatës.

“APROVOHET si i bazuar propozimi i paditësit… L.L.C për caktimin e masës së sigurisë për shtyrjen e ekzekutimit të Njoftimit. PEZULLOHET ekzekutimi i Njoftimit të datës 03.06.2025 për moslejimin e paditësit/propozuesit të shfrytëzojë furnizimin nga shërbimi universal, i nxjerrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, thuhej në njoftim.

Për këtë vendim, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, në një prononcim për Periskopin e ka mirëpritur këtë vendim të Gjykatës Komerciale.

Lexo edhe:  I arrestuari nën dyshimin se kërkoi 40 mijë euro ryshfet për rastin e fajdeve është mjek specializant

“Drejtësia dhe Gjykata është në anën e të drejtë të  bizneseve të Kosovës. Kërkojmë nga ZRrE-ja zbatueshmëri e barabartë  për të gjitha bizneset për këtë vendim. Presum anulimin e vendimit nga ZRrE-ja dhe vazhdimin e punës së furnizimit me energji elektrike sipas rregullave të çmimit universal”, kishte thënë Shahini.

Por , këtë vendim të Gjykatës Komerciale nuk është duke e zbatuar Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRrE).

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE)  kishte se nuk e ka pezulluar vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.